Kiçi i drejtësisë dhe teatri i madh i Hagës

01 tetor 2026 | 10:34

Isuf Sherifi

Historia ka një prirje të çuditshme për t’u përsëritur si një farsë e lehtë, por me pasoja të rënda. Tashmë të gjithë e dinë, madje me një lloj indiference të lodhur, se ajo që quhet Gjykata Speciale e Kosovës nuk lindi nga ndonjë ideal i lartë juridik. Ajo lindi nga një trysni pothuajse histerike e faktorëve dhe aktorëve politikë evropianë e botërorë të asaj kohe. Ishte një skenarist i huaj, armiku shekullor, që po shkruante dramën tonë.

Ky bosht, i përbërë nga Serbia dhe Rusia, gjeti terren te politikanë të shumtë evropianë, të dehur nga gazi rus. Lufta në Ukrainë nxori në pah pikërisht këtë fenomen morbid të ithtarëve dhe miqve putinistë pothuajse në çdo shtet evropian. Eksponentë si Konstantin Kosaçev, me agjendat e tyre antishqiptare, nuk e patën të vështirë ta kriminalizonin mendjen racionale të Evropës dhe botës së asaj kohe.

I gjendur para një dileme të madhe nga një akuzë vrastare që i vishej pastërtisë së luftës çlirimtare, Kuvendi i Republikës – si duket i përfshirë edhe nga ajo që mund ta quajmë “sindroma e dëshirës për t’u pëlqyer të tjerëve”, sidomos amerikanëve – i dha vizë këtij procesi. Përjashto opozitën e kohës dhe disa deputetë që ende besonin se historia shkruhet me dinjitet, pjesa tjetër thjesht “nënshkroi”.

Paradoksi i oportunitetit

Dhe ja ku jemi sot: te një nyjë e re politike, por tek i njëjti problem i vjetër i karakterit tonë kombëtar. Këtu fillon ai paradoks i madh, aq tipik për komeditë e zeza njerëzore: ata që dikur bërtisnin dhe rezistonin kundër kësaj gjykate, duket se sot janë kthyer në mbrojtësit e saj të zellshëm. Ata që dikur premtuan zhbërjen e saj, sot struken përpara idesë së prekjes së saj.

Vallë, a i janë nënshtruar edhe këta të pozitës së sotme po të njëjtit presion si paraardhësit e tyre? Nuk besoj! Kjo do të ishte një përgjigje shumë heroike për një realitet kaq banal. E vërteta është se ata kanë zbuluar komoditetin e oportunitetit. Duke mos e luftuar këtë të keqe të quajtur Gjykatë Speciale, ata thjesht po ruajnë elektoratin e tyre hibrid.

Ky është një elektorat që ushqehet me kiç – me iluzione të pastra dhe fjalë të mëdha për drejtësinë, ndërkohë që nën rrogoz praktikon antidrejtësinë, i yshtur nga një urrejtje patologjike ndaj aktorëve kryesorë të luftës, dhe jo vetëm. Për këtë klasë politike, vota vlen më shumë se e vërteta historike, sepse vota të mban në skenë, ndërsa e vërteta mund edhe të të degdisë në harresë.

Teatri i dyfishtë i kolltukëve

Trimat e dikurshëm të deklaratave me tone epike janë shndërruar në frikacakët e sotëm të kolltukëve. Ose, ndoshta, nëse e zhveshim këtë situatë nga iluzioni i moralit, ata nuk kanë ndryshuar kurrë. Ndoshta si atëherë, ashtu edhe sot, ata thjesht po luajnë një rol të dyfishtë me një lehtësi të “mahnitshme”.

Ky është oportuniteti i tyre i madh, i maskuar si mençuri shtetërore: tjetër gjë thonë për t’i ngrohur zemrat e masave, e krejt tjetër gjë veprojnë prapa perdes së skenës, aty ku bëhen pazaret e vërteta të pushtetit. Ata e dinë se njerëzit harrojnë shpejt. Dhe në këtë botë ku gjithçka fshihet nën lehtësinë e padallueshme të harresës, ata vazhdojnë ta luajnë rolin e tyre, duke shpresuar se historia nuk do t’i gjykojë, por thjesht do t’i duartrokasë.

Procesi pa fund

Megjithatë, duartrokitjet e tyre janë të kota. Makineria e madhe e Hagës nuk u ngrit për të gjetur të vërtetën për viktimat e luftës, por për të varrosur qindra të vërteta të shkëlqyera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një proces të pafundmë politik.

Politikanët shqiptarë të Kosovës, veçmas këta të pushtetit/pozitës së sotme, besojnë se po zënë një vend komod në kolltukë por, në fakt, janë thjesht të pandehur që presin në paradhomën e një gjyqi të pafund, rregullat e të cilit ndryshojnë gjatë rrugës nga gjykatës pa fytyrë. Kur dritat e teatrit të fiken, ata do të zbulojnë se nuk janë aktorët e dramës, por thjesht hije që bëjnë rojë te porta e fajësisë së tyre të paracaktuar. Janë të dënuar për të mos dalë kurrë nga labirinti që vetë po e vulosin duke mos e zhbërë këtë Gjykatë kriminale, e cila padrejtësisht quhet e Kosovës, dhe padrejtësisht ka marrë mbi supe të veta barrën për ta gjykuar shekullin e rezistencës shqiptare, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e një pjese të tokave të pushtuara të Shqipërisë.

30.09.2026

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Dëgjimi i Jack Smith në Senatin e…