Policia e Kosovës njofton planin për mbarëvajtjen e marshit për liderët e UÇK-së 

01 tetor 2026 | 12:20

Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e protestës së paralajmëruar për sot në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Protesta synon të shprehë vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Policisë, masat do të zbatohen para, gjatë dhe deri në përfundimin e protestës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.

Policia ka theksuar se, në pajtim me Ligjin për tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirisht qëndrimet përmes tubimeve dhe protestave të qeta. Sipas saj, angazhimi i oficerëve synon që protesta të zhvillohet pa incidente dhe që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe brenda kornizës ligjore.

Për shkak të lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit. Prej orës 15:00 do të mbyllen përkohësisht rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”. Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevoja operative, mund të mbyllen edhe rrugë të tjera.

Për këtë qëllim, janë angazhuar edhe njësitë patrulluese të trafikut, të cilat do të riorientojnë qarkullimin nëpër rrugë alternative sipas nevojës.

Policia ka garantuar praninë e zyrtarëve policorë në terren dhe ka thënë se siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe e sigurisë publike mbeten prioritet i saj.

Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e vazhdueshëm, duke apeluar për kujdes të shtuar dhe respektimin e rregullave të trafikut rrugor në interes të sigurisë së përgjithshme.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka…