Shqiptarë mos të ndalemi
Prof. Dr. Kudusi Lama – Gjeneral në pension
Shqiptarë mos të ndalemi:
Të luftojmë t’i kthjellojmë përfundimisht të vërtetat e Luftës tonë Çlirimtare.
Kjo kërkon të thuhen e të gjykohen të gjitha krimet kundërshqiptare.
Të hetohet e rigjykohet edhe ky proces i montuar i cili mbetet plagë e hapur në trupin shqiptar deri kur të rrëzohet si një dru i thatë që ka mbetur pa rrënjë. Duke bërë ta kuptojë gjithë bota, se kjo plagë që iu shkaktua shqiptarëve dhe historisë e vlerave të tyre me vendimin kriminal të 16 shtatorit 2026, nuk është tjetër veçse një shprehje e krimit politik të nivelit më të lartë, sepse nuk ka nivel më të lartë krimi që mund të bëhet, se sa në emër të drejtësisë të dënohen çlirimtarët përse kanë çliruar atdheun dhe popullin e tyre.
T’i tregojmë dhe t’i kërkojmë qartësim drejtësisë botërore dhe politikës botërore, përse luftëtarët e marrë peng në Hagë nga gjykata e ashtuquajtur e Kosovës, në asnjë rast nuk u lejuan të ballafaqohen e të dokumentojnë të vërtetat përballë dëshmitarëve të blerë e të përpunuar nga Serbia në bashkëpunim me prokurorët e asaj gjykate? Pasi u vërtetua tashmë se gjithçka është bërë edhe me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e gjykatësve të asaj të ashtuquajture gjykatë. Pse në çdo hap luftëtarët e marrë peng u mbajtën larg hetimit dhe ekspertimeve të kryera në mënyrë të njëanshme dhe kriminale? Pse u mbajtën larg ballafaqimit me dëshmitarët dhe deri te mohimi i çdo të drejte, duke e paraparë krimin të kryer nga çlirimtarët? Sepse të gjitha këto janë dukur në qëndrimet e njëanshme të vlerësimeve të gjykatësve gjatë gjithë zhvillimit të procesit mostër gjyqësor, që nuk ka ndodhur as në gjykatat naziste.
Shqiptarë mos të heshtim:
Të mos bëhemi bashkëpunëtorë për asnjë çast me krimin politik të kësaj gjykate.
Të mos bëhemi palë me shkeljet e ligjit të drejtësisë, siç bën kjo gjykatë padrejtësie.
Të mos lejojmë që në emrin tonë të shpallen vendime nga organizata kriminale siç është kjo gjykatë.
Të qëndrojmë në këmbë, të bashkuar si një trup i vetëm, për të mundësuar që bota moderne të kurohet nga kjo sëmundje e rrezikshme e dënimit të çlirimtarëve jo vetëm shqiptarë, por kudo në botë, ku ata ballafaqohen a do të ballafaqohen me fenomene të tilla kriminale.
Të bëhemi ne denoncues të krimit në këtë të ashtuquajtur drejtësi; të bëhemi ne parandalues të implikimit të njerëzve të shkolluar për të bërë drejtësi që të bëhen kontingjent i krimit në hetim dhe gjykim të ndodhive të montuara sipas interesave të atyre që ngrenë organizata të tilla.
Të qëndrojmë fortë, deri kur bota të shohë se si kjo e ashtuquajtur gjykatë me segmentet e saj ka shpërdoruar pushtetin që i ka dhënë parlamenti i Kosovës; se ka shpërdoruar djersën dhe taksat e taksapaguesve shqiptarë dhe të të tjerëve, duke mos bërë drejtësi, por duke synuar qartësisht goditjen politike të Kosovës dhe Kombit shqiptar; goditjen politike të historisë së shqiptarëve dhe themeleve të shtetit të Kosovës. Sepse ky është krimi në të cilin është zhytur plotësisht kjo e ashtuquajtur gjykatë, me synimin të dhunojë historinë shqiptare dhe shtetin të ri të Kosovës, që u ngrit me aq luftë, masakrime, shpërngulje e zhdukej të shqiptarëve nga pushtuesi; me aq gjak e sakrifica, për të bërë që të mos jemi më të pushtuar e në tendencë të zhdukjes, që u tentua jo më larg se në vitin 1999 për herë të fundit nga pushtuesit jugosllav e serb.
Shqiptarë mos të lejojmë:
Të mos lejojmë që nëpërmjet plotësimit të interesave politike të armiqve kjo e ashtuquajtur gjykatë të vrasë luftën tonë për liri.
Të mos lejojmë që duke përdorur fjalinë: ”po dënohen individë, nuk po dënohet Lufta e UÇK-së”, të na mashtrojnë, sepse ata individë personalisht nuk kanë bërë asnjë krim. Këtë e thotë edhe ai vendimi i 16 shtatorit 2026, i asaj të ashtuquajture gjykatë. Po na dënojnë historinë më të lavdishme kombëtare. Po na dënojnë themelet e shtetit. Po na dënojnë të ardhmen kombëtare. Po na dënojnë krenarinë dhe besimin në të ardhmen tonë në familjen e kombeve të zhvilluara. Të mos i lejojmë këto.
Të denoncojmë faktin që ajo e ashtuquajtur gjykatë komandohet nga shteti serb, nga prokurorët serb, nga gjykatësit serb, nga kriminelët serb të luftës që janë me shumicë dhe nga të dashurit dhe miqtë e Serbisë e të tjerë.
Të denoncojmë se kjo është mënyrë mafioze e veprimit në drejtësi.
Të kërkojmë nga organet e posaçme ndërkombëtare të kontrollohet pasuria e prokurorëve dhe hetuesve e gjykatësve të asaj të ashtuquajture gjykatë, për të gjetur burimet e pasurive dhe ligjshmërinë e vënies së atyre pasurive.
Të paralajmërojmë botën moderne se kjo mënyrë veprimi për vendime (pa)drejtësie është përpjekje për të instaluar një platformë të krimit politik me çekiçin e gjykatësit, për likuidimin e çdo përpjekjeje për çlirim të popujve nga kolonizimi sot e në të ardhmen.
Të marrim në mbrojtje vetveten përballë këtij lloj të ri krimi që po shfaqet i trashëguar nga mesjeta, për të hequr qafe ata që për hatër të lirisë prishin rehatinë e sunduesve.
Të bëjmë të qartë për të gjithë se vendimi i 16 shtatorit 2026 i të ashtuquajturës gjykatë e Kosovës në Hagë, është një agresion ndaj Kosovës dhe agresioni më i rrezikshëm që mund të jetë shpikur e aplikuar gjatë historisë kundër popujve.
Të garantojmë në emër të popullit shqiptar të gjithë ata që janë pajtuar e paguar për të hedhur baltë mbi historinë shqiptare dhe atë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, cilëtdo qofshin ata, se asgjë e keqe nuk u ka ardhur nga Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe asgjë e keqe nuk do t’u vijë në të sotmen dhe të ardhmen nga shqiptarët. Përkundrazi jemi të gatshëm të qartësojmë gjithçka dhe t’i mbrojmë me të gjitha kapacitetet shqiptare, nëse janë vënë nën kërcënim nga punëdhënësit e tyre.
Shqiptarë mos të nënshtrohem:
Të bëjmë të qartë për të gjithë popujt, se çështja e akuzës kundër çlirimtarëve të Kosovës nuk ekziston. Kjo u vërtetua me atë masë të madhe të dëshmitarëve që u thirrën në atë gjyq, të cilët nuk arritën të paraqesin asnjë informacion kriminal, sipas pretendimeve për të cilat u ngrit kjo gjykatë mbështetur në pretendimet e Dick Martyt. Dhe kjo u duke edhe në faktin se vendimi nuk pati asnjë element të pretenduar nga Dick Marty.
Të kuptojmë dhe të denoncojmë se me agresionin e 16 shtatorit 2026, ajo e ashtuquajtur gjykatë ka tentuar ta paraqesë Luftën Çlirimtare të Kosovës si luftë civile, ku sipas saj shqiptarët kanë luftuar kundër shqiptarëve. Sepse akuzat janë se ata burra luftëtarë e çlirimtarë të marrë peng, nuk paskan pasur asnjë synim tjetër veç të lidhin, burgosin e rrahin shqiptarë. Në atë vendim të agresionit më të pa precedent të 16 shtatorit 2026, nuk ka serb, sipas atij vendimi, Serbia nuk e kishte pushtuar Kosovën. Por sipas saj në Kosovë po bëhej luftë politike për pushtet. Dhe kjo arsyetohet për një periudhë kur në Kosovë as pushteti as shteti e as liria nuk ekzistonin. Të denoncojmë këtë agresion, sepse po shihet se realisht ka edhe shqiptarë që kanë rënë në kurthin që ngriti ajo e ashtuquajtur gjykatë me agresionin e saj.
T’i tregojmë botës, se ne e kemi kuptuar plotësisht, se akuza ndaj çlirimtarëve nuk mbështetet me argumente dhe prova ligjore. Se vendimi i 16 shtatorit 2026 dhe realiteti nuk kanë asgjë të përbashkët. Se ai vendim është thjeshtë flagrant dhe në kontradiktë me atë çfarë kanë deklaruar edhe dëshmitarët.
T’i themi botës hapur dhe me plot zë, se ne e kuptojmë se ajo e ashtuquajtur gjykatë, është ose e paguar mafiozisht ose e marrë peng nga mafia politike e armiqve të shqiptarëve dhe mbështetësve të tyre.
T’u kërkojmë prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtarëve të asaj të ashtuquajture gjykatë, të deklarohen nëse sadopak ka mbetur në ta ndjenjë profesionale si njerëz që bëjnë drejtësi. Të thonë pse po veprojnë kështu. Por kjo kërkesë nuk vlen për prokurorin Xhek Smith (Jack Smith) dhe gjykatësin Çarls L. Smith, III (Charles L. Smith III), sepse këta të dy dihet botërisht se janë deklaruar kundërshqiptar dhe e kanë deklaruar vetë se çfarë mendojnë për shqiptarët dhe çfarë duhet bërë me ta për t’i zbutur. Ndërsa të tjerët do të dëshiroja ta hidhnin petkun mafioz që po u veshin, të veshin petkun e drejtësisë për të cilën janë thirrur dhe ta qartësojnë botën, sepse është çast final për t’i prerë rrugën një precedenti për të ardhmen e popujve që do të luftojnë për liri edhe në të ardhmen.
Shqiptarë të bëjmë të qartë:
T’u bëjmë të qartë miqve tanë në Bashkimin Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se ne u besuam garancive tuaja në Rambuje dhe e firmosëm atë marrëveshje që na diktuat. Dhe ju jemi mirënjohës për atë mbështetje që na dhatë për t’u çliruar e për ta shpëtuar popullin tonë nga shpërngulja totale dhe zhdukja që tentoi të realizojë pushtuesi jugosllav e serb. E mbështetur në atë besim që krijuam për drejtësinë tuaj, u besuam përsëri kur na kërkuat të ngrinim Gjykatën Speciale për Krimet e Luftës të UÇK-së. Sepse ju na thatë se do të jeni aty që të bëhet drejtësi. E drejtësinë ne e pranuam se nuk i kemi askujt asnjë borxh. Por kësaj radhe ju na mashtruat. Ju nuk qetë aty për drejtësi. Ju lejuat që kjo gjykatë të kthehet në një mekanizëm kriminal, që të godasë historinë tonë. Prandaj duhet të kemi të qartë bashkërisht, se nëse bëtë drejtësi në vitin 1999, për çfarë arsyeje po bëni padrejtësi duke lejuar këtë të ashtuquajtur gjykatë të dalë jashtë funksionit për të cilin është krijuar? Përse lejuat që armiku këtë radhë të na godasë nëpërmjet Jush? Pse e shfrytëzuat transparencën dhe sinqeritetin tonë për të na përbaltur historinë dhe shtetin tonë që janë krijuar me lumenj gjaku të shqiptarëve? Është me vend ta shpjegoni veten.
Dhe në fund të bëjmë të qartë për miqtë dhe armiqtë se nuk ka për t’ia arritur askush asnjëherë që shqiptarët t’i përfshijë në luftë civile dhe në krime politike, siç tentohet me agresionin e datës 16 shtator 2026 të të ashtuquajturës gjykatë speciale e Kosovës në Hagë.
T’u bëjmë të qartë të gjithëve se shqiptarët janë aq të pjekur sa të menaxhojnë fatin e tyre në të sotmen dhe të ardhmen.
Të bëjmë të qartë se askush, asnjë lloj gjykate nuk mund të dënojë çlirimtarët në emër të popullit të cilin e kanë çliruar. Këtë ta tregojmë përfundimisht siç po e tregojmë çdo ditë me parullën tashmë lapidare: ”Jo në emrin tim”.
Të bëjmë ta kuptojë gjithë bota se shqiptarët në Ballkan janë 7 milion. Të gjithë sot janë UÇK. Le të vijnë gjithë politikanët, gjykatësit dhe mediat e botës ta vërtetojnë praktikisht këtë të vërtetë që po e bëjmë prezent në këtë shkrim. Besoj ajo e ashtuquajtura gjykatë në Hagë nuk do të ketë fuqi të fusë në burg 7 milion shqiptarë të deklaruar UÇK. Prandaj ju kërkohet të lirojnë çlirimtarët, se një ditë jo shumë vonë do të jenë të mbuluar me turpin e historisë, si figura që kanë përdhosur drejtësinë botërore dhe të drejtën hyjnore.



