Nuk po dimë apo nuk po duam?!

01 tetor 2026 | 13:51

Shkruan: Hajdin Abazi

Duke i përcjellë zhvillimet politike, me theks ato midis liderëve partiakë, po edhe ato që po shprehen publikisht, ka vend për shqetësim.
Për shqetësim shumë serioz.
Sidomos duke marrë parasysh faktin që po pohohet gjithandej se verdikti i 16 shtatorit me një gjykim të padrejtë e ka damkosur UÇK-në e luftën e saj të drejtë çlirimtare dhe se pasojat mund ta godasin edhe shtetin, pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Nëse kjo njëmend është e vërtetë, atëherë ndodhemi para një problemi më të madh që nga çlirimi.
Këtë po e thonë pakashumë të gjithë politikanët, përfshirë liderët partiakë.
Tashmë edhe Kuvendi me rezolutën e saj e shprehu po këtë.
Dhe çfarë po bëhet?
Si po veprohet?

Nëse njëmend qëndron ky rrezik, atëherë sjellja, veprimet e qasjet nuk janë konform kësaj.
Nuk po hetohet një unitet ashtu sikurse do ta kërkonte një rrezik i tillë.
Takime liderësh pati, larg opinionit publik dhe me sa duket, kjo çoi te rezoluta e harmonizuar e që edhe u votua.
E më pas?
Treguesit nuk janë të mirë.
Ajo që bie në sy janë qasje mjaft të ndryshme, që pak ndryshojnë nga deri tash, ndonëse tonet janë zbutur paksa, por kjo është një zbutje e përkohshme.
Qasjet që po vërehen në publik janë kryesisht të tilla që Michel Foucault i tipizon si diskurs pushtetar, domethënë se bisedimet bëhen duke manifestuar prirjen për pushtet ose semonstrimin e fuqisë partiake.
Pjesa më e madhe e opozitarëve po artikulohen me kërkesa, ndërmarrje e iniciativa me insistim, me nguti, me kushtëzim e me tone alarmante. Në kuptimin se, nëse nuk ndodhë sikurse po kërkohet, do të ketë pasoja – ndër të cilat janë zgjedhjet e reja, të parakohshme.
Një pjesë e opozitarëve po mbahet mjaft neutrale, duke përkrahur atë që është e domosdoshme, si p.sh. rezolutën për drejtësinë e luftës çlirimtare.
Kurse partia në pushtet po duket mjaft komode, po premton se do t’i bëjë gjërat porse me një maturi që e kërkon pushteti, por edhe duke dhënë ndonjë goditje verbale ndaj opozitarëve më të zëshëm në këtë çështje.
Ndërkohë revolta, pakënaqësia dhe zhgënjimi qytetar po vazhdon fuqimisht të shprehet me tubime të çdo natshëm.
Në këto qasje ndjehet tensioni i kamufluar, që po mbahet disi i ndrydhur.
Që të gjithë kanë bërë gabime, po nuk është koha të merremi tash me to.
Nëse kemi gabuar deri më tash, nuk duhet të gabojmë edhe sot e këtyre ditëve që nuk janë më shumë se gishtat e një dore, kur mund të bëhet puna e duhur.
Por duket se ka prirje për të rënë në gabim, përsëri.
Dhe gabimi i parë është mos bashkëpunimi mesvete i partive politike konform situatës. Nuk mund të bëhen veprime të duhura me kërcënime e me shantazhe kundrejt njëri-tjetrit, jo për një vlerë themeltare të lirisë sonë sikurse është UÇK.
UÇK-ja nuk i takon realisht asnjë partie, e nëse ju takon – ju takon të gjithave, pa përjashtim.
Ashtu si ju takon liria të gjithëve.
Dhe asnjë parti nuk ka ekskluzivitet ndaj lirisë.
Ajo që duhet bërë nga lidershipi partiak është braktisja e diskursit sikurse e ka përshkruar Michel Foucault, si diskurs agresiv, radikal, garues. Nuk mund të detyrohet asnjë parti të veprojë pse një parti tjetër mendon se duhet. Këtu mungon logjika, mungon racionaliteti, mungon sinqeriteti dhe ajo që njëmend është e vërtetë.

Këto qasje nuk çojnë asgjëkundi në këto rrethana.
Nëse nuk është kuptuar deri më tash se polariteti irracional midis partive është i dëmshëm, ani se shteti po pengohet qe dy vite duke shkuar në zgjedhje të pêrsëritura për shkak të epsheve të pakontrolluara për pushtet dhe përtej verdiktit elektoral, atëherë tash, kur po thuhet se është goditur integriteti i lirisë sonë, është momenti i fundit kur duhet reflektuar përtej ngushtësive paetiake e njëmend në interes të shtetit.
Për ta bërë këtë, ka vetëm një alternativë, e ajo është diskursi i frymës së Jurgen Habbermasit. Të rikthehet racionaliteti politik, të kuptohet se nuk mund të partizohet një çështje që i përket gjithë kombit e tërë shtetit, nuk mund të jetë e drejta ekskluzive e një partie ciladoqoftë ajo.
Nëse duam të dalim nga kthetrat e yshtjes për pushtet që mund të na çojnë në gabime të tjera, duhet të reflektojmë nga perspektiva e tjetrit. Duke vepruar kështu, shtohet të kuptuarit dhe arrihet te ajo që është e duhura, e përbashkët. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Jo, nëse njëmend e besojmë rrezikun që po theksohet.
Ky rrezik është ai që duhet t’i bëjë politikanët përgjithësisht e liderët posaçërisht të reflektojnë shpejt, thellë e korrekt. Ta shohin veten në pasqyrën e kohës dhe të historisë. Të mos gabohet. Nuk arsyetohet me gabimin e të tjerëve më herët. Historia i ka vënë politikanët para një sfide tejet të madhe: të veprojnë drejt, me mënyrën e duhur, jo me eufori po mi dije (ekspertizë), jo duke kursyer po duke mos llogaritur koston që të tregohet pastërtia e luftës sonë çlirimtare edhe në kontekstin e drejtësisë në Hagë, ai dhe bashkërendimi me SHBA dhe BE.
Hapi i parë është krijimi i besimit midis liderëve për çështjen e luftës çlirimtare, që të mos i atribuohen ato që nuk i kishte. Pa një besim, nuk shkohet tutje. Besimi arrihet kur flitet hapur, me sinqeritet, kur dëgjohen argumentet, qasjet dhe mendimet e secilit lider. Dhe arrihet në atë që është e përbashkët. Ashtu sikurse u bë për rezolutën.
Hapi i dytë janë takimet urgjente, me orë të tëra, të përditshme, nga disa herë në ditë midis liderëve, për të arritur një konsensus. Unë besoj se të gjithët e secili në mënyrën e vet e do shtetin, pavarësinë dhe lirinë e Kosovës si dhe luftën tonë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Ky është tabani real i unitetit.
Por që të arrihet te kjo, ka një urgjencë kohore. Duhet zgjedhja e presidentit/ presidentes. Që të bëhen organet e shtetit të Kosovës. Kjo është sprova e parë, ku do të dëshmohet se njëmend është Kosova dhe UÇK në radhë të parë. Kjo duhet të bëhet. Dhe mund të bëhet. Shteti funksi9nal është kusht për veprime shtetërore.

E çka nëse nuk bëhet?
Dihet: do të shkohej në zgjedhje të reja.
Fushata paraelektorale e elektorale do të vlonin nga akuza e kundërakuza, polariteti partiak do të shkonte në ekstrem. Gabimet e së kaluarës do të evokoheshin e do të shndërroheshin në sulme e kundërsulme. Disa do te dukeshin si fajtorë nga gabimet e së kaluarës, të tjerë krenarë se nuk gabuan. E kjo nuk dihet se çfarë epilogu do të kishte.
A kemi komoditet për një zhvillim të tillë?
A na duhet thellimi i përçarjeve kur në rend dite është uniteti kombëtar?
Unë jam i bindur se jo.
Nëse politika kosovare dhe nëse partitë shqiptare kanë ndërgjegje kombëtare në nivel dhe nuk janë verbuar nga intoleranca e lakmia me çdo kusht për pushtet, ato duhet të jenë në krye të detyrës që po ju kërkon historia e re, kjo sfidë prej së cilës prekemi të gjithë e secili.

Nuk është koha të mendohet për përfitime partiake, për lakmi për pushtet.
Është koha për vetëdije, për dashuri ndaj kombit, ndaj atdheut, ndaj lirisë.
Ne jemi këta dhe nuk ka të tjerë.
Ne duhet të jemi ata që të përballemi me këtë sfidë ashtu që liria jonë të dalë fitimtare.
Përndryshe, kjo do t’i ngjante një anije që duket se po fundoset e ekuipazhi i saj dhe pasagjerët nuk merren se si ta shpëtojnë anijen, po kacafyten mesvete.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Prof. Dr. Kudusi Lama - Gjeneral në pension Shqiptarë mos…