Kurti: Kërkova nga Von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në organizata evropiane
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar atë për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ai ka thënë se që nga takimi i fundit me kryetaren e KE-së, vendi ka shënuar përparim në shumë fusha.
“Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, tek ne ka demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira dhe po ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në një vit”, është shprehur Kurti.
Pos tjerash, gjatë kësaj konference, Kurti ka folur për të arriturat e tjera të Kosovës përgjatë vitit të fundit.
Ai ka shtuar se Kosova është në një linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne i mbrojmë vlerat e Nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian, dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se gjatë takimit me presidenten e KE-së, i ka kërkuar anëtarësimin në Konventën për Transitin e Përbashkët.
“I kërkova edhe integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit”, ka thënë kryeministri.



