Haxhiu i shpreh shqetësimin von der Leyen për vendimin e Speciales
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në takim, është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe nevojën për ta zgjedhur Presidentin brenda afatit të mbetur.
U.D. Presidentja Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Kosovës për vendimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, më tej ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, si dhe ka kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të Presidentes Von der Leyen në këtë proces.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.



