Kush i mbikëqyr mbikëqyrësit?
Pak javë pasi gjyqtarët shpallën aktgjykimin, një pyetje e përbashkët është shfaqur mes kritikëve vendorë dhe ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara: Quis custodiet ipsos custodes? — Kush e mbikëqyr drejtësine e mbikëqyrësve të drejtësisë?
Kosova është e trazuar. Jo trazimi i «zakonshëm» kushtetues e parlamentar që kemi përjetu vitet e fundit, me zgjedhje të përsëritura dhe dështime po aq të përsëritura për të zgjedhur kryetar Kuvendi, president apo nënkryetarë Kuvendi – raste këto në të cilat Gjykatës Kushtetuese i është dashur, çdo herë, të thotë fjalën e vet.
As ai trazimin tjetër i «zakonshëm», i shkaktuar nga qeveria, nën drejtimin e së cilës Kosova ka kaluar gjysmë dekade vetizolimi dhe diplomacia e saj një vetëshkatërrim: me pezullimin e Dialogut Strategjik nga qeveria amerikane, gati tre vjet sanksione ndëshkuese të BE-së apo dështim të plotë për t’i bindur aleatët më të afërt për arsyeshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kriza e fundit, e cila ka përfshirë jo vetëm spektrin politik të përqendruar te vetvetja, por edhe shtresa të gjera të popullsisë, brenda Kosovës dhe në diasporë, buron nga aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”. Ai u shqiptoi katër bashkëthemeluesve të lëvizjes së armatosur çlirimtare dënime të rënda prej gjithsej 81 vjetësh burgim, mbështetur në një kategorizim të dyshimtë të rezistencës guerile si «ndërmarrje e përbashkët kriminale».
Dy javë pas shqiptimit të dënimeve në Hagë, reagimet në Kosovë nuk po zbehen. Përkundrazi, zemërimi mund të marrë përmasa edhe më të fuqishme. Ndoshta (ose me gjasë) edhe të shpërthejë në dhunë kundër Kuvendit dhe qeverisë.
Pas shpalljes së aktgjykimit paraprak (teksti i plotë prej mbi 2000 faqe, që për nga gjatësia rivalizon aktgjykimin e Tribunalit për ish-Jugosllavinë kundër Mladićit për gjenocid), ende nuk është bërë publik, ambasadat perëndimore dhe BE-ja bënë thirrje për durim, qetësi dhe përqendrim te procesi i apelit.
Megjithatë, shumë prej atyre që janë zemëruar nga aktgjykimi nuk janë më të interesuar se çka po thojnë diplomatët. Ata e mbajnë mend premtimin se kjo gjykatë do t’i «largonte retë e zeza» mbi Kosovën dhe UÇK-në pas akuzave bizare për tregti organesh nga të burgosurit. Akuza këto që mundësuan krijimin e një kimere gjyqësore, e cila, në vend të qëllimit të deklaruar, u përqendrua me ngulm në ndërtimin e një narrative që është kopje besnike e propagandës ruse dhe serbe. Tek e fundit, ishte qeveria Kurti ajo e cila ka gërryer me sukses, copë-copë, vendim pas vendimi, besueshmërinë dhe ndikimin e ambasadave perëndimore në Kosovë – sidomos të asaj amerikane.
Disa nga mbështetësit më të vendosur të lidhjeve të ngushta me SHBA-në dhe BE-në vinin nga partitë e establishmentit të dikurshëm — ancien régime, siç i quan udhëheqësi robespierrian i Kosovës, Albin Kurti. Aparatçikët e partisë së tij nuk lënë rast pa postuar e deklaruar, me një schadenfreude mezi të fshehur: «A ju kena thanë». Jo vetëm mbështetësit e ish-presidentit Thaçi, por edhe një numër vëzhguesish ndërkombëtarë dhe drejtuesish të shoqërisë civile vendore ndihen të tradhtuar nga diplomatët që lanë duart nga premtimet e dikurshme.
Por zbukurimet retorike të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, nuk arritën t’i jepnin përmbyllje një procesi që ka zgjatur gjashtë vjet, të zhvilluar sipas procedurave që kanë lënë boshllëqe alarmante në llogaridhënien dhe transparencën gjyqësore.
Komiteti i respektuar për të Drejtat e Njeriut i Avokatisë së Anglisë dhe Uellsit nxori në shesh një kulturë alarmante fshehtësie sinistre: takime konfidenciale për diplomatë, ku kryetarja e gjykatës dhe kryeprokurori merrnin pjesë së bashku dhe diskutonin çështjen “Thaçi dhe të tjerët”; materiale që u përcilleshin gjyqtarëve pa i dhënë mbrojtjes mundësi të shprehej për to; një mungesë të turpshme shqyrtimi kritik të provave të ofruara nga regjimi i Beogradit dhe pyetje të pazgjidhura mbi prejardhjen e tyre; si dhe kompetenca të gjera të kryetares për caktimin e paneleve gjyqësore, përfshirë ato të apelit, të mbrojtura nga çdo kundërshtim apo ankim domethënës prej pikërisht atyre njerëzve, liria e të cilëve është në lojë.
Cilat janë zhvillimet që, ndërsa flasim, po përcaktojnë dinamikën dhe reagimet?
Së pari, Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht një deklaratë që pasqyron atë të miratuar javën e kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi i Kosovës e hodhi poshtë si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, kërkoi veprime të bashkërenduara juridike dhe diplomatike në mbrojtje të legjitimitetit të luftës çlirimtare dhe u zotua të mbrojë si drejtësinë për viktimat, ashtu edhe të drejtën e të akuzuarve për gjykim të drejtë.
Së dyti, PDK-ja ka propozuar një ligj për t’i kufizuar kompetencat e Dhomave të Specializuara pas përfundimit të procesit të apelit në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Projektligji do ta kufizonte juridiksionin e gjykatës në pretendimet për trafikim organesh dhe krimet e lidhura drejtpërdrejt me to, do t’ua transferonte gjykatave të Kosovës rastet e tjera dhe shqyrtimin e mëtejshëm gjyqësor pas përfundimit të apeleve në zhvillim dhe do të vendoste monitorim të pavarur ndërkombëtar. Ai gjithashtu do ta kufizonte menjëherë dënimin maksimal me burgim në 15 vjet, do të kërkonte vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe do të mundësonte faljen presidenciale.
Së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja, njerëzit po mblidhen çdo mbrëmje për të protestuar në sheshet kryesore të Prishtinës nën moton «Jo në emrin tim», ndërsa protesta të tjera po zhvillohen anembanë Kosovës dhe diasporës së saj, nga Australia në Austri.
Pas tyre qëndron lëvizja qytetare «Liria ka emër», e themeluar nga një përzierje eklektike figurash: Burbuqe Berisha, regjisorja e ndjerë e teatrit, e nderuar me shumë çmime; Lyrical Son, artisti i hip-hopit i lindur në Prishtinë; Visar Kryeziu, fotografi i mirënjohur i Associated Press; Ismail Tasholli, student i filozofisë në Grac, ku po shkruan tezën e doktoratës mbi teknologjinë dhe filozofinë; dhe Eliza Hoxha, ish-këngëtare e muzikës pop, arkitekte dhe artiste bashkëkohore. Hoxha është e vetmja prej tyre e lidhur me PDK-në, si ish-deputete, por turmat duket se përfaqësojnë një spektër më të gjerë shoqëror.
Në shumicën e protestave kam marrë pjesë me bashkëshorten time. Tubimet e përnatshme ndjekin një formulë të caktuar: fillojnë në orën 20:00 me recitimin e betimit të dikurshëm të ushtarit të UÇK-së. Në skenën e madhe varen pankarta me portretet e katër udhëheqësve të UÇK-së të dënuar në Hagë. Fjalimi hapës thekson kërkesat kryesore: miratimin e ligjit të propozuar dhe fonde shtesë për procesin e apelit.
Pastaj vijnë folësit, një grup po aq eklektik: veteranë të luftës, fëmijë të dshmorëve të UÇK-së, këngëtarë të njohur të muzikës pop dhe figura të tjera publike. Një mbrëmje ishte Yll Limani, ndoshta këngëtari më i famshëm i muzikës pop i dalë nga Kosova, me miliona ndjekës në rrjetet sociale. Ka marrë pjesë edhe Ledri Vula, një nga artistët më të njohur të hip-hopit në Kosovë. Një mbrëmje tjetër, folësi kryesor ishte Leart Ajvazaj, matematikan dhe inxhinier i të mësuarit makinerik me arritje të spikatura, me diploma në matematikë të pastër nga Yale dhe Cambridge, i cili tani udhëheq hulumtime inovatore të inteligjencës artificiale. Këngëtarë operistikë, muzikantë popullorë, gazetarë, ish-të burgosur politikë nga koha e Jugosllavisë dhe futbollistë kanë folur gjithashtu, ose kanë kënduar.
Shumë pjesëmarrës janë veteranë të luftës, por shumica duket se i përkasin Brezit Z. Të rinj që ndoshta janë përfshirë pasi kanë parë në TikTok deklarata në mbështetje të protestave nga yje botërore si Dua Lipa apo Rita Ora.
Tensioni është i prekshëm. Dhe një gjë është e sigurt: asnjë parti politike nuk do të mund t’i kontrollojë emocionet (apo veprimet) nëse nuk gjendet një rrugëzgjidhje përmes mjeteve institucionale.
Cilat mund të jenë këto mjete?
Një rrugë racionale do të ishte që regjimi qeverisës dhe opozita të pajtoheshin për miratimin e ligjit dhe ndarjen e një buxheti që mbulon jo vetëm shpenzimet e avokatëve, por edhe përpjekjet lobuese për t’i shpjeguar më mirë kundërshtimet dhe ankesat kryesore të kosovarëve lidhur me procedurat e Dhomave të Specializuara, aktgjykimin dhe marrëdhënien juridikisht incestuoze mes dhomave të tyre, të cilat veprojnë në një mjedis të mbyllur, pa kontrolle e kundërpesha të jashtme, madje pa as monitorimin më elementar.
Dyshoj fort se Kurti ka m’u pajtu ndonjëherë me këtë rend hapash.
Pikësëpari, polarizimi i viteve të fundit e ka thelluar mosbesimin mes partive. Kurti këmbëngul që fillimisht të zgjidhet presidenti. Dhe, si për ta bërë stuhinë edhe më të rrezikshme, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim të ri në rastin e Presidentit të munguar: nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin deri më 6 tetor, vendi do të përballet me zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy vjetësh, me shumë gjasë të dielën, më 15 nëntor 2026.
Kurti duket se po e përdor kërkesën e opozitës për miratimin e projektligjit si mjet shantazhi për të siguruar një president sipas dëshirës së tij. Kryetari i PDK-së, Hamza, është zotuar publikisht të votojë për presidentin, por vetëm pasi të miratohet ligji. Hendeku është i gjerë dhe i rënduar nga kalkulimet elektorale.
Por edhe nëse Kuvendi e miraton ligjin, pres që vetë Dhoma Kushtetuese e Dhomave të Specializuara t’i bllokojë dispozitat kryesore. Pasi ka hedhur poshtë edhe më parë ndryshime të mandatit të saj dhe ka këmbëngulur se ai vazhdon derisa Këshilli i BE-së të urdhërojë përfundimin e tij, gjykata i ka lënë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës përballë një institucioni që e themeluan vetë, por e ardhmja e të cilit mbetet ekskluzivisht në Bruksel, kryeqytetin e financuesit të saj kryesor.
Atëherë, çfarë mbetet për t’u bërë?
Ndoshta është thjesht një dëshirë të presësh që sponsorët e gjykatës (sidomos Uashingtoni) të japin sinjal se një institucion i vendosur me çdo kusht ta rishkruajë historinë e Kosovës, qoftë me qëllim apo nga një mungesë tronditëse e të kuptuarit, nuk mund të shndërrohet në një instrument të pafund ndëshkimi për udhëheqësit e një populli që ishte viktimë e luftës. Të këmbëngulin që procesi i apelit të jetë i pavarur jo vetëm nga «ndikimi» i protestuesve në Prishtinë, siç pretendojnë përhapësit e frikës në Dhomat e Specializuara, por edhe nga paragjykimet e shfaqura prej vetë udhëheqjes së gjykatës. Të arrihet një marrëveshje që nderon të drejtat e viktimave, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo politike, respekton procesin ligjor dhe siguron që historia e Kosovës dhe fati i udhëheqësve të çlirimit të saj të mos mbeten peng i burokratëve që doken më të shqetësuar për t’i mbajtur llogaritë hapur në restorantet e Hagës sesa për të përfaqësuar «popullin e Kosovës», siç ua kërkon mandati.
Mund të pasojnë edhe marrëveshje të tjera: avancimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në mënyrë që si të akuzuarit, ashtu edhe viktimat e pretenduara, të mund të kërkojnë në instancë të fundit mbrojtjen e të drejtave të tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si mjet juridik përfundimtar.
E gjithë kjo do të kërkonte bashkërendim, besim dhe, mbi të gjitha, vëmendje nga aleatët kryesorë – një mall që aktualisht gjendet me pakicë.
Kosova ua dorëzoi një pjesë të sovranitetit të saj kujdestarëve — mbikëqyrësve — të drejtësisë, nëse më lejoni një referencë banale ndaj romanit të famshëm grafik të Alan Moore.
Mjerisht, kam frikë se nuk do të ketë kush t’i mbikëqyrë mbikëqyrësit.



