Pa WhatsApp, pa klientë: Çka po ndodh me llogaritë e bizneseve në Kosovë?

02 tetor 2026 | 10:52

Humbja e qasjes në llogaritë e WhatsApp-it u ka shkaktuar shqetësim disa pronarëve të bizneseve në Kosovë, duke ngritur alarm për mundësinë e keqpërdorimit të përmbajtjeve të ndjeshme brenda tyre. Shkaqet mbeten të paqarta, ndërsa institucionet nuk kanë bërë të ditur shtrirjen e fenomenit dhe hapat konkretë për ndalimin e tij.

Mëngjesin e 5 shtatorit, Vëllaznim Kryeziu nga Prishtina, hapi aplikacionin WhatsApp për t’i kontrolluar bisedat me klientët e tij, siç bën zakonisht.

Kryeziu është pronar i një kompanie të patundshmërive në Prishtinë dhe e përdorte këtë aplikacion për komunikim me qindra klientë, të cilëve u përcillte oferta, video dhe informacione për prona.

Për disa minuta, ai thotë se pranoi disa kode e njoftime që dukeshin se kanë të bëjnë me përditësim të aplikacionit, të cilat ai i klikoi. Më pas, humbi qasjen në llogari. Bashkë me të, edhe një rrjet kontaktesh të ndërtuar prej vitesh.
Duke qenë që nuk i pranonte mesazhet nga klientët, ndonëse kishte njoftuar publikisht për humbjen e qasjes, marrëdhëniet e tij me klientë thotë se u dëmtuan.

Për Radio Evropën e Lirë, ai tregon se e ka pasur të pamundur ta hapë llogarinë në një telefon tjetër dhe i ka shkruar vazhdimisht shërbimit mbështetës të WhatsApp-it, por ende nuk e ka rikthyer qasjen. Ndërkohë, ka marrë një numër të ri.
Përvoja e tij nuk është e izoluar.

Arbër Abazi, i cili merret me biznes në fushën e guroreve, thotë se për dy-tri javë kishte marrë njoftime për përpjekje për aktivizimin e llogarisë së tij të WhatsApp nga dikush tjetër. Më pas, llogaria iu bllokua. Sipas tij, pas një kërkese për shqyrtim, iu lejua riaktivizimi, por kur provoi të hynte, ajo u bllokua sërish.

Abazi e përdorte WhatsApp-in edhe për komunikim me kompani furnizuese nga jashtë vendit. Ai shqetësohet edhe për keqpërdorimet eventuale të përmbajtjes së shkëmbyer aty. “Po se aty ka pasë fatura, dokumente të ndryshme”, thotë ai.
Megjithatë, Abazi thotë se nuk ka dijeni që dikush ta ketë përdorur llogarinë e tij për t’u shkruar kontakteve apo për të bërë ndonjë keqpërdorim.

Ai është në pritje të shqyrtimit të ankesës së tij të drejtpërdrejtë te platforma për kujdesin ndaj konsumatorëve të WhatsApp-it.
Javët e fundit, janë shtuar shqetësimet për bllokimin e qasjes në llogaritë në WhatsApp, kryesisht atyre të biznesit.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Korab Keqekolla, thotë se raportimet që ai dhe kolegët e tij kanë marrë për raste të tilla kanë nisur rreth dy-tri muaj më parë, fillimisht për llogari biznesesh.

Personalisht thotë se ka marrë mbi 100 mesazhe nga persona që kërkonin ndihmë për t’i rikthyer llogaritë e tyre.

Ndërsa shton se kolegët e tij brenda komunitetit të Inteligjencës së Hapur të Kosovës – Kosovo Open Source Intelligence (KOSINT) – raportojnë për të paktën qindra raste të tjera. KOSINT është organizatë që mbledh entuziastë të fushës së inteligjencës së hapur, përfshirë edhe ekspertë të kibernetikës.

Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i llogarive të prekura nga ky fenomen.
Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), institucioni shtetëror që rregullon dhe mbikëqyr zbatimin e ligjit në komunikimet elektronike, ka reaguar ndaj këtij fenomeni por nuk ka ofruar shifra zyrtare të raportimeve.

Në një njoftim zyrtar të Njësisë Nacionale për Siguri Kibernetike (KOS-CERT), e cila funksionon në kuadër të ARKEP-it, u tha vetëm se janë duke i analizuar rastet e raportuara lidhur me llogaritë në WhatsApp. “(Jemi) duke bërë përpjekje për të komunikuar me institucionet relevante, me qëllim të trajtimit dhe zgjidhjes së kësaj çështjeje”, u tha tutje në njoftimin e 28 shtatorit, pa detaje shtesë.

REL-i i kërkoi ARKEP-it të dhëna për numrin e rasteve të raportuara, natyrën e tyre dhe rezultatet e analizës teknike, por deri në publikimin e artikullit, nuk mori përgjigje.

Çfarë po ndodh me llogaritë e Whatsapp-it?

Keqekolla paraqet dy hipoteza.

Njëra ndër to thotë se mund të jetë keqpërdorimi i “protokollit SS7” në rrjetet telefonike. Ky kod është një grup protokollesh ndërkombëtare të telekomunikacionit që përdoren për të shkëmbyer informacione dhe sinjale midis elementeve të rrjetit telefonik.

Siç shpjegon ai, përmes këtij kodi, mund të ridrejtohen mesazhet me kodet e verifikimit. “Ky protokoll është i njohur globalisht që mund të keqpërdoret”, thotë ai. Në Kosovë funksionojnë dy operatorë telefonikë, Vala që është kompani shtetërore dhe IPKO, private.
Të dy operatorët kanë bërë thirrje publike duke ndarë këshilla për konsumatorët që përdorin WhatsApp-in se si t’i parandalojnë keqpërdorimet e llogarive të tyre.

Vala i tha Radios Evropa e Lirë se ka pranuar shumë ankesa. Megjithatë, kompania pretendon se problemi nuk qëndron te sistemet e tyre. “Sistemet tona janë të mbrojtura me teknologji të avancuara të sigurisë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se në industrinë tonë përpjekjet për sulme kibernetike janë të vazhdueshme, prandaj hulumtimi dhe monitorimi i sistemeve tona është i vazhdueshëm”, thanë nga Vala.
Në anën tjetër, IPKO, i tha REL-it se kanë pranuar 13 raportime për probleme me WhatsApp, nga klientët e tyre. Edhe kjo kompani thotë se nuk ka identifikuar ndonjë cenueshmëri apo incident të sigurisë brenda sistemeve të saj.

A mund të jetë problemi te Meta?

Hipoteza e dytë që Keqekolla së bashku me kolegët e komunitetit kanë ngritur, është që ekziston një problem në procesin e verifikimit të identitetit te përdoruesit në platformën e Meta-s, kompanisë që e zotëron WhatsApp-in.

Megjithatë, ai thekson se pa të dhëna konkrete teknike, “mundemi veç të ngrisim hipoteza mbi këtë problem”.
Keqekolla thotë se në disa raste ka vërejtur përdorimin e gjuhës indoneze në mesazhet elektronike për konfirmimin e llogarive. Këtë ai e e sheh si një tregues të mundshëm të lidhjes me aktorë që, sipas tij, kanë zhvilluar edhe më herët fushata mashtruese ndaj përdoruesve në Kosovë.

Megjithatë, përdorimi i kësaj gjuhe, ende nuk e vërteton origjinën apo vendndodhjen e sulmuesve.
Në lidhje me bllokimin e llogarive në WhatsApp, Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar edhe kompaninë Meta. Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Institucionet, operatorët dhe ekspertët e sigurisë kibernetike kanë rekomanduar në vazhdimësi aktivizimin e verifikimit në dy hapa në llogaritë e WhatsApp dhe që bizneset të kenë edhe kanale të tjera komunikimi me klientët.

Për Vëllaznim Kryeziun, përveç rikthimit të llogarisë dhe kontakteve, mbetet e rëndësishme të kuptojë çfarë ndodhi. “(Dikush duhet)…arsyen të ma jep, që mos të bëj gabimin e njëjtë, se unë numër tjetër kam blerë, po mos ta bëj gabimin e njëjtë, mos të humbas prapë klientët”, thotë ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Aktorja amerikane Halle Berry është akuzuar për abuzim fizik ndaj…