KESCO e kthen faturën në një thirrje për kujdes dhe ndërgjegjësim
KESCO e kthen faturën në një thirrje për kujdes dhe ndërgjegjësim.
“Fatura që nuk vjen nga KESCO, por duhet ta paguash.”
Me këtë mesazh, KESCO shënon Tetorin, muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke e kthyer faturën e energjisë elektrike në një kujtesë për kujdesin ndaj shëndetit.
Fatura e këtij muaji vjen me një mesazh ndryshe.
Përmes saj, KESCO synon të inkurajojë çdo grua që të kujdeset për shëndetin e saj, të informohet dhe të mos i shtyjë kontrollet dhe ekzaminimet e rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.
Ideja për ta sjellë këtë mesazh përmes faturës lidhet me dëshirën që ndërgjegjësimi të jetë pjesë e përditshmërisë sonë. Një dokument që zakonisht e lidhim me një pagesë, këtë herë na kujton një tjetër lloj përgjegjësie, atë që kemi ndaj vetes dhe shëndetit tonë.
Në kuadër të kësaj fushate, faturat në këtë format do të vendosen në përmasa të mëdha në 7 distriktet e KESCO-s në Kosovë, ndërsa versione më të vogla do të shpërndahen edhe në formë fizike, me synimin që mesazhi të arrijë te sa më shumë qytetarë.



