Ndryshimet klimatike në bujqësi, kërkohet koordinim dhe financim më i madh

30 shtator 2026 | 16:29

Përfaqësues të institucioneve, sektorit privat, organizatave, ekspertë dhe aktorë të tjerë të bujqësisë u mblodhën në tryezën e diskutimit me temën “Veprimet për ndryshimet klimatike në bujqësi – zgjidhje të përbashkëta për Kosovën”.

Diskutimi u fokusua në gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e dala nga konsultimet e mëparshme, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve të sektorit, si dhe përcaktimin e hapave konkretë për adresimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike në bujqësi.

Tryeza u moderua nga Viola Xhemajli nga AgroDev Kosovo, ndërsa fjalët hyrëse u mbajtën nga Fatmir Selimi, menaxher i përgjithshëm i AgroDev Kosovo dhe Veton Rruka, menaxher i projektit në programin EREA të Caritasit.

Gjatë aktivitetit u paraqitën edhe gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet kryesore të dala nga diskutimet me palët e interesit si dhe dy projekte pilot që sollën përvoja dhe rezultate konkrete nga terreni.

Një prej projekteve trajtoi efektivitetin e ftohjes me spërkatës në reduktimin e stresit termik te kultivimi i mjedrës, i paraqitur nga Kujtim Lepaja, drejtor ekzekutiv i Mjedrës së Kosovës. Projekti tjetër u fokusua në bimët mbuluese dhe rezultatet nga parcelat demonstruese, i paraqitur nga Zana Lika, zyrtare e projekteve në Organika.

Nga diskutimi u identifikuan disa prioritete kryesore, përfshirë nevojën që ndryshimet klimatike të trajtohen si prioritet strategjik në bujqësi, përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve relevantë, si dhe përcaktimin më të qartë të roleve dhe përgjegjësive institucionale.

Po ashtu, u theksua nevoja për forcimin e kapaciteteve teknike për përshtatjen klimatike, rritjen e rolit të shërbimeve këshilluese dhe digjitale për fermerët, zgjerimin e praktikave të suksesshme nga projektet pilot dhe sigurimin e financimit më të qëndrueshëm për përshtatjen, inovacionin dhe kërkimin.

Si hapa të ardhshëm u propozuan caktimi i personave përgjegjës për ndryshimet klimatike në institucionet përkatëse, krijimi i një grupi të përhershëm punues për ndryshimet klimatike, i koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe hartimi i një plani kombëtar të veprimit për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi.

Në mesin e rekomandimeve u përfshinë edhe integrimi i masave për ndryshimet klimatike në programet e mbështetjes dhe investimeve bujqësore, forcimi i shërbimeve këshilluese dhe digjitale për fermerët dhe rritja e financimit për projekte pilot, kërkim, inovacion dhe zgjerimin e praktikave të suksesshme.

Aktiviteti u organizua nga AgroDev Kosovo, me mbështetjen e projektit EREA, i cili zbatohet nga Caritasi Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Veprimtari shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,…