Paga e 13-të dhe shtesa e përvojës, Qeveria ndan 102 milionë euro

30 shtator 2026 | 15:37

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Kosovës.

Projektligji i miratuar parasheh që pjesa kryesore e mjeteve të shkojë në kontingjencën e pagave, për të mbuluar pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe shtesën e përvojës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se pagesat retroaktive do të mbulojnë periudhën nga hyrja në retroaktive për diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës. “Që nga ky vit, me anë të Ligjit për Ndarje Buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë Ligji i Pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar”, tha Murati në mbledhjen e Qeverisë.

Nga rialokimi janë paraparë edhe 20 milionë euro për pensionet bazike, me qëllim të mbulimit të kostos së rritjes së numrit të pensionistëve.

Murati tha se këto mjete do të përdoren për të mbuluar “rritjen e natyrshme të pensionistëve”.

Ndërkohë, paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik ishte ndarë edhe gjatë vitit të kaluar.

Shtesa prej 0.5 për qind u bëhet punonjësve të sektorit publik për çdo vit përvojë pune.

Pra një punëtor me 10 vjet përvojë përfitonte shtesë 5 për qind mbi pagën bazë. Por kjo shifër u ndërrua me Ligjin për Paga më 2022.

Për 15 vjetët e parë ajo u përgjysmua në 0.25 për vit, e më pas u bë 0.5 pas vitit të 15-të. Gjykata e ka shpallur këtë antikushtetues.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, delegacioni i Asamblesë Parlamentare…