Federata Angleze reagon pas vendimit për Man Cityn: Ka implikime të rëndësishme për integritetin e futbollit
Federata Angleze e Futbollit (FA) ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Komisionit të Pavarur në rastin e Manchester Cityt, duke paralajmëruar se çështja mund të ketë pasoja për integritetin e futbollit anglez.
Një Komision i Pavarur e ka gjetur Manchester Cityn fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare të Premier Leagues gjatë periudhës 2009/10–2017/18. Sipas Premier Leagues, City kishte përdorur marrëveshje të rreme komerciale, kishte paraqitur llogari të pasakta dhe kishte shkelur rregullat financiare të ligës dhe UEFA-s.
Tash, në një deklaratë të re, FA ka bërë të ditur se po e shqyrton me kujdes vendimin dhe mund të ndërmarrë veprime nëse e konsideron të nevojshme.
“Vendimi i Komisionit të Pavarur ka implikime të rëndësishme për integritetin e lojës. Po e shqyrtojmë me kujdes vendimin dhe implikimet e tij dhe do të ndërmarrim veprime aty ku është e përshtatshme”, është thënë në deklaratën e FA-së.
Megjithatë, federata angleze ka theksuar se procedurat mes Premier Leagues dhe Manchester Cityt janë ende në vazhdim dhe, për këtë arsye, nuk dëshiron të komentojë më shumë në këtë fazë.
“Meqë procedurat mes Premier Leagues dhe Manchester City Football Club mbeten në vazhdim, nuk kemi ndërmend të komentojmë më tej në këtë fazë. Megjithatë, do të vazhdojmë t’i monitorojmë nga afër zhvillimet”, është thënë më tej.
Manchester City ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe ka paralajmëruar apel ndaj vendimit. Afati për apel është 2 tetori, ndërsa asnjë sanksion sportiv nuk është vendosur ende.
Çështja pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, ndërsa FA ka lënë të hapur mundësinë për hapa të mëtejshëm pasi të përfundojë procesi i Premier Leagues.



