FEFS: Fakulteti që nuk e ngre zërin, por e ngre nivelin

01 tetor 2026 | 23:32

Ka institucione që e bëjnë zhurmën para punës, dhe ka institucione që e lënë punën ta bëjë zhurmën. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit i Universitetit të Prishtinës i përket pa mëdyshje grupit të dytë. Këto ditë mbushen dy vjet nga nisja e mandatit të ri të menaxhmentit të FEFS-it, një ekip me ambicie të plotë dhe punë të palodhur, në krye me dekanin Prof. Asoc. Dr. Florian Miftari. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta shënuar këtë përvjetor se dita e sotme: më 1 tetor 2026, katër studentë të FEFS-it u nderuan me dekorata, dy për notën e shkëlqyer dhe dy për arritje të veçanta, ndërsa po sot nis zyrtarisht periudha e parë pesëvjeçare e akreditimit të programit master në historinë e Fakultetit. Dy lajme në njëditë, por asnjëri nuk lindi sot. Të dy janë fryt i dy viteve që e ndryshuan një fakultet, dhe që ia vlen të tregohen hap pas hapi.

Por 1 Tetori, Dita e Universitetit, nis gjithmonë me përulje. Sot FEFS-i iu bashkua nderimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, në praninë e rektorit Prof. Dr. Arben Hajrullahu, prorektorëve, kryetarit të Këshillit Drejtues, dekanëve të njësive akademike, si dhe profesorëve, administratës dhe studentëve. Falë sakrificës së tyre, ne sot festojmë në një universitet të lirë. Gjithçka që tregohet më poshtë është, në fund të fundit, mënyra jonë për ta nderuar atë sakrificë: duke punuar, duke mësuar dhe duke ndërtuar me dinjitet.

Vjeshtë 2024: themelet e një epoke të re

Gjithçka nisi në vjeshtën e vitit 2024, kur dekani i sapozgjedhur Florian Miftari mori drejtimin e Fakultetit dhe formoi ekipin e tij të prodekanëve, me Prof. Asst. Malsor Gjonbalaj për mësim dhe çështje të studentëve dhe Prof. Asst. Faton Tishukaj për shkencë dhe marrëdhënie me jashtë. Që në muajt e parë, Fakulteti konstituoi organet dhe komisionet e veta, nga Komisioni për studime te Komisioni i Etikës në Hulumtim. Po atëherë nisi funksionalizimi i Institutit të Shkencave të Sportit, me drejtor Prof. Asst. Bahri Gjinovci dhe sekretar Prof. Asst. Ilir Gllareva. U hartuan rregulloret e para të brendshme, përfshirë atë për karrierë të dyfishtë, që u jep sportistëve studentë një kornizë për të ecur njëkohësisht në fushë dhe në auditor.

FEFS hyri me vendosmëri në hartën evropiane: u anëtarësua në S2ABC, ENGSO dhe ENSE, mori pjesë në forumin e 17-të të ENSE-s në Tiranë, prezantoi projektin “Sport as Value” në Katowice të Polonisë dhe u vlerësua në Shkup për lëndën “Sporti për Zhvillim”. Studentët nisën kursin e Administrimit në Sport në kuadër të Erasmus+, ndërsa profesorët dhe studentët matën rreth 3.000 nxënës në shtatë regjionet e Kosovës për statusin e rritjes dhe zhvillimit lëvizor. Fakulteti mori edhe fytyrë të re, me brendim dhe sinjalizim të ri, dhe në dhjetor doli numri i parë i Buletinit Informativ, dritarja përmes së cilës FEFS nisi t’i raportojë publikut, çdo tre muaj, gjithçka që bën.

Dimër 2025: dyert e hapura

Viti 2025 nisi me vizita që flasin vetë. Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit, Altin Sahiti, dhe Rektori Arben Hajrullahu me prorektorët erdhën në FEFS, ku në tryezë u vunë roli i Fakultetit në Lojërat Mesdhetare 2030 dhe ndërtimi i objektit të ri të FEFS-it. Në bashkëpunim me Qendrën e Studentëve, fitnesi u bart në një ambient tejet modern në Sallën “1 Tetori”, ndërsa hapësira e liruar u shndërrua në klasë moderne mësimi. Federata e Futbollit e Kosovës ndau katër bursat e para për studentët e FEFS-it, duke nisur një traditë tëre. Më 25 mars 2025 FEFS organizoi Konferencën e Parë Sportive, me kryetarin e Prishtinës, kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kryetarët e federatave të basketbollit të Kosovës dhe të Shqipërisë në panel.

Ndërkohë, grupi punues po e mbyllte raportin e vetë vlerësimit për programin master, me studentët në tryezë, dhe stafi nisi kursin gjashtëmujor të anglishtes. Jashtë mureve të Fakultetit, ish-studentët e FEFS-it, sot trajnerë fizikë të Gardës Presidenciale në Emiratet e Bashkuara Arabe, kaluan në gjysmëfinale të Dubai Games, ndërsa studentet Benita dhe Bleona Juniku u nderuan nga Rektori në 55-vjetorin e Universitetit të Prishtinës.

Pranverë 2025: projekte, partneritete, kampionë

Në prill FEFS u bë, për herë të parë, partner zyrtar i konferencës vjetore shkencore të Akademisë së Sportit të Malit të Zi. Po atë muaj erdhi një nga lajmet më të mëdha: projekti INSPIRE, i mbështetur nga Ambasada e SHBA-së përmes KUSA-s, që e pajisë Institutin e Shkencave të Sportit me aparatura të standardit më të lartë. Më 14 prill u themelua, për herë të parë, Shoqata Alumni e FEFS-it. Katër federata, të basketbollit, hendbollit, volejbollit dhe sporteve universitare, ndanë tetë bursa të reja, Federata e Volejbollit ia ndërroi pamjen sallës së FEFS-it, ndërsa u nënshkruan marrëveshje me Federatën e Sportit Shkollor dhe me Olimpiadën Speciale të Kosovës.

Studentja Donjeta Sadiku fitoi medaljen e artë në Kupën Botërore të boksit “Feliks Stamm” në Varshavë, ndërsa studentët e FEFS-it dolën triumfues në disa disiplina të Ligave Universitare 2025. Pas skenës, studenti Blendi Kallaba, me dhjetëra video dhe qindra fotografi, ia ndërroi imazhin publik Fakultetit. FEFS nisi edhe fushatën me maturantët në shkollate mesme të Pejës, Gjakovës, Skenderajt dhe Lipjanit. Mëvonë, profesorët e FEFS-it shkuan në të gjitha komunat e Kosovës, e komunat ia kthyen vizitën Fakultetit. Një fakultet që nuk pret të gjendet, por shkon vetë te njerëzit.

Verë dhe vjeshtë 2025: shkenca në shërbim të sportit elitar

Katër projekte të FEFS-it u përzgjodhën nga MAShTI për financim në thirrjen për projekte të vogla shkencore 2025, duke e renditur Fakultetin ndër njësitë më të suksesshme për nga numri i projekteve të miratuara. Instituti i Shkencave të Sportit hapi dyert për sportin elitar: klube me emër dhe sportistë kulmorë kaluan nëpër testimet e tij, nga kampionja ballkanike e xhudos Flaka Loxha te futbollisti i Kombëtares Dion Gallapeni. Me ekspertin austriak Dr. Christoph Triska, stafi i Institutit, bashkë me kolegë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Mjekësisë, u trajnua për pajisjet e reja.

Studentet Lumbardha Misini dhe Fortesa Berisha nënshkruan përkatësisht me Servette FC Chênois Féminin në Zvicër dhe me FC Como të Serie A-së. FEFS u bë partner i projektit Erasmus+ “We Run” për fuqizimin e grave përmes vrapimit, priti Prof. Dr. Megan Chawansky nga Otterbein University në programin Fulbright Specialist dhe ishte ndër 15 institucionet që, bashkë me Komitetin Olimpik, nënshkruan Deklaratën “Brighton Plus Helsinki” për barazi gjinore në sport. Në kuadër të projektit SHAPE organizoi West Balkan Week of Sport dhe Sport Forum 2025, ku u debatua për inteligjencën artificiale në sport.

Kulmi i vitit erdhi me Konferencën e 5-të Shkencore Ndërkombëtare të FEFS-it, me Toni Kukën, Majlinda Kelmendin dhe Franco Fodën mes të ftuarve. Studentët Aneta Beqiri dhe Aridon Luta morën çmimin “Hasan Prishtina”, i cili u nda për herë të parë, ekipet e basketbollit dhe volejbollit zunë vendin e tretë në turnirin e 28-të ndërkombëtar studentor në Dubrovnik, ndërsa me kompanitë Assemblage nga Franca dhe ABKONS u diskutua renovimi i FEFS-it në funksion të Lojërave Mesdhetare 2030.

2026: viti i kurorëzimit

Dhe pastaj erdhi 2026. FEFS e fitoi për herë të parë akreditimin e programit master “Edukim Fizik dhe Sport” për periudhën maksimale pesëvjeçare, nga 2026 deri në 2031. Objekti i Departamentit të Kimisë pranë FShMN-së kaloi në pronësi të FEFS-it, dhe pikërisht atje pritet të bartet instituti për hulumtime shkencore në fushën e aktivitetit fizik, sportit dhe shëndetit. U përurua fusha e re e padelit, sporti që po pushton Evropën. Fakulteti ua hapi dyert stafit të ri akademik, i cili tashmë ka nisur punën, me premtimin se nuk do të ndalet me kaq.

Në gusht FEFS i dorëzoi MAShTI-t koncept dokumentin për rritjen e cilësisë dhe vëllimit të edukatës fizike, me kërkesën për më shumë orë dhe mësimdhënës specialist që nga klasa e parë. U aprovua projekti ndërkombëtar 36-mujor EMPOWER-DC 2.0. Në shtator, në konferencën “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, FEFS propozoi themelet e një sistemi kombëtar të përgatitjes së sportistëve drejt 2030-ës: trajnerë të përgatitur, testim shkencor dhe monitorim i vazhdueshëm. Po në shtator, MAShTI e aprovoi projektin kërkimor KOS-FIT, Këshilli i Fakultetit miratoi për botim tekstin universitar “Metodat e avancuara të stërvitjes”, dhe më 22 shtator FEFS priti një profesor nga University of Kansas, hapi i parë drejt lidhjes me laboratorin e shkencës së sportit tëKU-së. Nga Prishtina në Kansas: kjo është gjeografia e re e FEFS-it.

Asgjë nga kjo nuk mbeti pas dyerve të mbyllura. Çdo hap u tregua publikisht, në buletinet tremujore dhe në videot promovuese e edukuese që FEFS krijoi për studentët e vet. Në një kohë kur besimi te institucionet fitohet me informacion e jo me deklarata, FEFS zgjodhi derën e hapur.

Hapi i radhës: doktorata

Rrugëtimi nuk ndalet këtu. Për herë të parë që nga themelimi i tij në vitin 1979, FEFS është në rrugë të mbarë drejt akreditimit të programit të doktoratës “Shkencat e Sportit dheLëvizjes”. Pas një pune të madhe dhe të pandërprerë, programi i ka kaluar me sukses instancat e para: Zyra për Zhvillim Akademik dhe Senati i Universitetit të Prishtinës i kanë dhënë dritën e gjelbër. Tani pritet hapi i fundit dhe më i vështiri, vlerësimi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. FEFS vazhdon të punojë me të njëjtin përkushtim në këtë drejtim, me synimin që shkencëtarët e ardhshëm të sportit në Kosovë të mos kenë më nevojë të ikin për t’u bërë të tillë, dhe që cikli i plotë akademik, nga bachelori te doktorata, të ndërtohet këtu, në shtëpi.

Dy vjet mandat, një fakultet tjetër. FEFS nuk po vrapon për t’u dukur. Po vrapon për të mbërritur. Dhe po mbërrin.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Anëtari i LPK-së, Fatmir Brajshori, ka kundërshtuar pretendimet se ndërmjet…