Një skenar i tmerrshëm kundër të vërtetës së lirisë së Kosovës: të veprohet shpejt
Shkruan: Hajdin Abazi
Nga 16 shtatori Kosova dhe shqiptarët gjithandej janë tronditur nga goditja e pabesueshme që iu dha lirisë sonë.
Nuk është vetëm përjetim.
Vetëm emocion.
Nuk është aspak subjektivitet.
Përkundrazi, është një e vërtetë e tmerrshme, që intuitivisht e ndjejmë të gjithë ata që kemi sakrifikuar, të gjithë njerëzit që ndjehen krenarë me luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës, secili që e do vetëdijshëm lirinë.
Se është tmerr, nuk është tepri, as hiperbolizim, as fantazi.
Është diçka reale, që na godet në ndërgjegje, në histori, në politikë, në moral, në legjitimitet, në të drejtën tonë për liri.
Përtej familjeve të të dënuarve, vuajtjet e të cilave shtohen kur duhej t’u shprehej mirënjohje.
Përtej padrejtësive ndaj atyre që u bënë bartës dhe drejtues me sukses të luftës çlirimtare dhe të bashkëpunimit me NATO-n kundër regjimit gjenocidal të Serbisë.
Përtej meje e teje, përtej kritikëve – me të drejtë e pa të drejtë, paragjykimeve, mërive, lakmive të sekujt për të qenë në rolin drejtues, inateve personale e meskine.
Të etiketohet me nuanca kriminalizuese lufta e UÇK-së është përtej çdo gjëje që mund ta durojë një popull t’i inkriminohet e drejta për të luftuar robërinë.
Përmasat e pasojave do të rëndojnë më shumë sot e sidomos në të ardhmen.
Le të supozohet një gjendjes hipotetike se ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – u vërtetohet dënimi në të gjitha instancat e mundshme.
Atëherë realiteti i luftës çlirimtare do të ndryshohej.
Ja se si.
Kur te flitej për Rambujenë do të thuhej se ai delegacion u pri nga i dënuari për krime lufte, që vetvetiu do të ishte një denigrim i luftës kundër gjenocidit e për çlirim, një baltosje e saj.
Kur të flitej për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës do të thuhej se ajo u shpall nga Hashim Thaçi – i cili kishte bërë krime në kohën e luftës, gjë që automatikisht do të hidhte vello turpi në aktin përfundimtar të shtetformimit.
Kështu edhe për Kadri Veselin.
Edhe për Jakup Krasniqin.
Edhe për Rexhep Selimin.
Edhe për secilën figurë tjetër emblematike të UÇK-së.
Në histori, në librat shkollor, në analet botërore dhe zyrtarisht do të kenë etiketën e dënimit për krime lufte.
Jo thjesht si individë, po si grup drejtues i vetë UÇK-së – që domethënë se lufta çlirimtare qenka udhëhequr nga kriminel dhe e shoqëruar me krime të sinkronizuara.
Në përvjetorë, në kalendarët zyrtare, në manifestimet zyrtare të shtetit drejtuesit e luftës çlirimtare nuk do të guxohet të përmenden, as te vihen pankartat me figurat e tyre, thjesht do të detyrohemi t’i eliminojmë nga historia e Kosovës dhe e luftës sonë për liri.
Në analet zyrtare të shtetit për të cilin luftuan nuk do të përmenden; në BE, në analet ndërkombëtare e në diplomaci do të jenë të anatemuar e të stigmatizuar.
Vetvetiu dhe pashmangshëm edhe UÇK-ja e lufta jonë çlirimtare do të demonizohen si të kriminalizuara, duke e ekuivalentuar mbrojtjen nga gjenocidi dhe gjenocidbërësit, luftën kundër agresionit me agresionin, të drejtën për liri me të “drejtën” për pushtim!
Kjo do të jetë e ardhmja e trishtueshme nëse partitë politike shqiptare pa dallim nuk bashkohen dhe nuk e bëjnë shtetin funksional duke zgjeshur presidentin – për këtë tiktaku i orës tregon se kërkohet nxitim për konsensus mbi baza të interesit madhor të lirisë sonë.
Ky do ishte hapi i parë për mundësinë e një strategjie shtetërore për mbrojtjen e luftës sonë të drejtë. E kjo sot lidhet me katërshen e UÇK-së në Hagë, kur ka mundësi për beteja juridike që të finalizohet verdikti me pafajësi dhe konfirmim të asaj se lufta çlirimtare e Kosovës ishte luftë e drejtë dhe legjitime.
Lufta që duhet bërë është juridike përmes shtetit e lobimit. Këtë mund ta bëj vetëm shteti me bashkërendim ekspertize të BE-së e të SHBA-së.
Nëse nevoja për të mbrojtur të vërteten e luftës sonë çlirimtare nuk na bën t’i tejkalojmë meskinitetet partiake e ngushtësinë politike, atëherë përgjegjësia nuk do të ketë një adresë, po do të bie mbi secilën parti, lider e politikan.
Secili duhet të kontribuojmë, pa protagonizëm personal a partiak po me vetëdije kombëtare, që t’i heqim barrierat politike e mospajtimet partiake, të konsolidohet pushteti dhe pastaj përgjegjësia bie para së gjithash e mbi të gjithat mbi pushtetin.
Dhe sigurisht, politikanët e deputetët do të jenë aty e do ta përcjellin gjendjen dhe çdo devijim, neglizhencë, prolongim, mos azhuritet a mos efikasitet – duhet të reagojnë në Kuvend e nëse kjo nuk jep rezultat, atëherë duhet t’i kthehemi popullit dhe ta vejmë radikalisht në veprim.
Unë nuk besoj se do të vije deri te kjo, po qe se arrihet konsensusi midis liderëve dhe caktohen mekanizmat e transparencës dhe të bashkërendimit; p.sh. të krijohet një grup prej deputetësh si Ad Hoc komision për të kontrolluar punën e qeverisë në lidhje me mbrojtjen e UÇK-së e të drejtësisë së luftës sonë. Mund të bëhet edhe një mekanizëm nga liderët partiak si takime të rregullta ku do të flitej me dyer të mbyllura për përmbushjen, masat, veprimet, etapat, nivelet e realizimit, nevojat e reja e çdo veprim tjetër që kërkohet.
A jemi të gatshëm njëmend ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare apo do të biem pre e meskinitetin shpirtëror, megalomanisë politike e lakmisë së verbuar për pushtet?
Nëse ne nuk veprojmë si duhet, ata që nuk e njohin drejtësinë e luftës sonë për liri do të veprojmë edhe më fuqishëm.
Amani u qoftë, thirrni arsyes e arrini konsensus!
Që të mos ju mallkojë historia dhe sakrificat e vuajtjet e popullit!



