Kurti zhvillon takime me ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë, diskuton me ta për aktgjykimin e Hagës

02 tetor 2026 | 17:18

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takime të ndara ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, dhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph.

Në takimin me ambasadorin Hargreaves, Kurti ka pranuar urime për Qeverinë dhe mandatin e ri, ndërsa të dy janë shprehur të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin për avancimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjerimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe sportit, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

Ndërkaq, në takimin me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph, Kurti ka pranuar urime për Qeverinë dhe mandatin e ri, ndërsa e ka falënderuar atë për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën.

Kurti dhe Rudolph kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, ndërsa kanë biseduar edhe për Procesin e Berlinit, nikoqire e të cilit do të jetë Kosova për herë të dytë këtë vit, si dhe për Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani, që do të mbahet në fund të muajit tetor.

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur shqetësimin e Republikës së Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se, sipas tij, aktgjykimi përmban pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat duhet të korrigjohen në apel.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka arritur…