Në Prishtinë ka përfunduar nata e 17-të e protestës kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Haziri para Ministrisë së Drejtësisë: S’do të ndalemi derisa të procedohet Ligji për Specialen
Protesta filloi në sheshin kryesor të kryeqytetit, ndërsa më pas pjesëmarrësit u nisën drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Para Ministrisë së Drejtësisë, organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i bëri thirrje ministres Donika Gërvalla që të procedojë ligjin për Specialen. Ai tha se protestuesit do të vazhdojnë të kërkojnë realizimin e kësaj kërkese.
‘’Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK’së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi derisa asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, ka thënë mes tjerash Haziri.
Gjatë protestës, Haziri u bëri thirrje pjesëmarrësve që të shmangin përdorimin e mjeteve piroteknike në drejtim të Policisë, duke kërkuar që protesta të zhvillohet pa incidente.
‘’Motra e vëllezër mos e gjuani asnjë mjet piroteknik drejt policisë. Në mesin tonë ka fëmijë e nëna, mos gjuani’’, ka kërkuar Haziri nga protestuesit.



