“Ta çojmë sa më shpejt drejt përfundimit”, Dimal Basha tregon se u asfaltuan edhe 1.5 km në rrugën Kijevë- Zahaq
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar për asfaltimi e 1.5 kilometra me shtresën e parë të asfaltit, në rrugën Kijevë – Zahaq.
Basha krahas postimit ka shkruar se “kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Dukagjinit dhe një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone”.
Postimi i tij:
Në rrugën Kijevë–Zahaq (N9) po vazhdojnë punimet!
Dje në Lotin 4 të kësaj rruge u asfaltuan rreth 1.5 kilometra me shtresën e parë të asfaltit, ndërsa puna po vazhdon paralelisht edhe në segmentet e tjera.
Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Dukagjinit dhe një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone. Që nga marrja e detyrës si Ministër, jam angazhuar personalisht në adresimin e problemeve dhe pengesave që kanë përcjellë projektin, për të hapur rrugë për zgjidhje dhe për intensifikimin e punimeve.
Puna po vazhdon, ndërsa ne do të vazhdojmë me mbikëqyrjen e vazhdueshme në terren, duke kërkuar gjithmonë punë cilësore, dinamikë më të lartë dhe respektim të afateve, në mënyrë që këtë projekt të rëndësishëm ta çojmë sa më shpejt drejt përfundimit.



