Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të Komunës së Prishtinës lidhur me buxhetin

02 tetor 2026 | 14:47

Ministria e Financave (MF) ka njoftuar se ka pranuar nga Prokuroria njoftimin për hedhjen poshtë të kallëzimit penal të bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës lidhur me pretendimet për bllokimin e buxhetit të komunës.

Sipas Ministrisë së Financave, vendimi i Prokurorisë tregon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për bllokim të buxhetit nga Ministria kanë qenë të pabazuara.

Ministria ka deklaruar gjithashtu se stafi i saj ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore.

Në njoftimin e saj, MF-ja ka rikujtuar se Komuna e Prishtinës kishte dorëzuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, disa muaj pas afatit të përcaktuar me ligj dhe pasi Kuvendi kishte miratuar Ligjin e Buxhetit.

Sipas Ministrisë, kjo vonesë kishte bërë që buxheti i Komunës së Prishtinës të mos përfshihej në Ligjin e Buxhetit, duke pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të mjeteve buxhetore.

Për këtë çështje, udhëheqësia e Komunës së Prishtinës kishte akuzuar zyrtarë të Ministrisë së Financave për bllokim të qëllimshëm të buxhetit dhe kishte dorëzuar kallëzim penal.

Ministria e Financave ka thënë se mirëpret përfundimin e çështjes.

“Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje, që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza, dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale”, është thënë në fund të njoftimit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Lionel Messi pritet t’i bashkohet grumbullimit të Kombëtares së Argjentinës…