Betim Gjoshi: Albin Kurti, ky pazarxhi i vlerave kombëtare

04 tetor 2026 | 10:33

Zyrtari i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me mosmiratimin e ligjit që, sipas tij, synon mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjoshi e ka akuzuar Kurtin se gjatë veprimtarisë së tij politike ka vepruar kundër atyre që, sipas tij, sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. “Pazarxhi i vlerave kombëtare!”, ka shkruar Gjoshi në reagimin e tij.

Ai ka pretenduar se Kurti nuk kishte besuar në luftën e UÇK-së, ndërsa ka theksuar se, kur Kurti ishte burgosur, çlirimtarët kishin kërkuar lirimin e tij.

“Kur vetë ra në burg, çlirimtarët i ranë botës për të kërkuar lirimin e tij”, ka shkruar Gjoshi.

Sipas tij, pas daljes nga burgu, Kurti u kishte kthyer shpinën ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Gjoshi pretendon se gjatë kohës kur kishte pushtet nuk kishte ndërmarrë veprime në mbështetje të tyre.

Gjoshi ka kritikuar gjithashtu Kurtin për qëndrimin ndaj ligjit për mbrojtjen e UÇK-së, duke e akuzuar se po zgjedh “pazarin” politik në vend të veprimit institucional.

“Kur liria iu desh për vete, kërkoi zërin e çlirimtarëve. Kur çlirimtarëve u duhet veprimi i tij, ua kthen shpinën”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, zyrtari i PDK-së i ka atribuar Kurtit përgjegjësinë politike për atë që e quan zvarritje të procesit.

“Për çdo pasojë të kësaj zvarritjeje, përgjegjësia politike është e jotja, Albin”, ka shkruar Gjoshi.

Reagimin e ka përmbyllur me një mesazh të drejtpërdrejtë: “JO NË EMRIN TIM!”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ukraina ka përdorur për herë të parë një raketë balistike…