Vlora Çitaku: Çlirim, ti e ke ba krenar babën!
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Çlirimi e ke bërë krenar babën e vet, heroin Xhavit Haziri.
“21 ditë radhazi. Ditë e natë. Në ballë të protestës kundër aktgjykimit të padrejtë në Hagë. Në ballë të kërkesës për mbrojtjen e UÇK-së me ligj. Në zanin tënd, mijëra qytetarë gjetën zanin e tyre. Në qëndresën tënde, forcën për të vazhduar edhe një ditë më shumë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Ajo ka shtuar se: “S’kishte si të ndodhte ndryshe. Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri. Si një rrëfim epik që vazhdon të shkruhet me dashuri për vendin. Emri yt mbart ëndrrën e brezit të heroit Xhavit Haziri. E ti, Çlirim, i dhe asaj ëndrre za e vepër. U bëre simbol i revoltës qytetare dhe i vlerave që na bashkojnë e duhet të na mbajnë bashkë. Çlirim, mos u ndal. Ruaje atë za të sinqertë dhe atë zemër patrioti që të nxori në shesh. Qytetarët kanë ende shumë për të thënë përmes teje. Rruga drejt drejtësisë për çlirimtarët tanë vazhdon. Faleminderit, atdhetar”, ka shkruar Çitaku.



