Ndalohet për 48 orë Valon Lluka, prokuroria tregon për çfarë veprash dyshohet
Biznesmeni Valon Lluka është ndaluar për 48 orë. Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala.
Shala ka treguar se ndalimi i Llukës është bërë pasi ai dyshohet se ka kryer veprat penale “mashtrimi”, “shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “lidhja e kontratës së dëmshme”.
Lluka ka qenë drejtor në kompaninë Mabetex dhe është denoncuar për abuzime me pozitën e tij aty.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, dhe për veprën penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për “Express”.
Ajo ka shtuar se lidhur me rastin, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.
“Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit”, ka përfunduar Shala.



