Falsifikimi i certifikatës së vaksinimit, merret vendimi për Granit Xhakën
Tashmë është dhënë vendimi. Kapiteni shqiptar i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka (34 vjeç), është dënuar me gjobë me kusht. Lajmin e bëri të ditur vetë 34-vjeçari përmes një postimi në Instagram.
Xhaka është dënuar me urdhër penal me 50 ditë-gjobë, nga 3 000 franga zvicerane secila, me kusht.
“Kjo do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet, nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryej asnjë shkelje tjetër. Shpenzimet e procedurës i kam paguar”, ka sqaruar Xhaka.
Para ndeshjeve të fundit të kombëtares, Xhaka kishte pranuar se gjatë pandemisë së COVID-19 kishte falsifikuar dy certifikata vaksinimi. Pranimi ka ardhur pasi gazeta “Blick” kishte bërë publik, disa ditë më parë, një procedim të Prokurorisë së Lucernës në lidhje me këtë çështje.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, kishte thënë Xhaka.



