Shqipëria ngjitet në renditjen e FIFA-s, Kosova shënon pozicionimin më të mirë në histori
08 tetor 2026
| 14:23
Ndeshjet e fundit në Nations League kanë sjellë ndryshime pozitive në renditjen botërore të FIFA-s për Shqipërinë dhe Kosovën.
Shqipëria, pas katër ndeshjeve të zhvilluara, me tri fitore dhe një humbje, ka avancuar në klasifikimin e FIFA-s.
Kuqezinjtë tani renditen në pozitën e 66-të, një vend më lart krahasuar me përditësimin e mëparshëm.
Edhe Kosova ka shënuar përparim në renditjen e re.
Pas bilancit prej një fitoreje, një humbjeje dhe dy barazimeve në Nations League, “Dardanët” janë ngjitur me dy pozita dhe tani zënë vendin e 76-të.
Ky është pozicionimi më i lartë i Kosovës në historinë e saj në renditjen botërore të FIFA-s. Renditja e re është përditësuar më 7 tetor 2026.





