“Tërmet” te Man City, e rrezikon seriozisht rënien nga Premierliga

08 tetor 2026 | 14:04

Manchester City po përballet me njërin nga momentet më të vështira në historinë e klubit, pasi tashmë ekziston mundësia reale që “Citizens” të përfundojnë jashtë Premierligës. Klubi anglez është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat lidhur me shkeljet e rregullave financiare të Premierligës. Komisioni i pavarur ka konstatuar shkelje gjatë periudhës 2009-2018, ndërsa sanksionet ende nuk janë përcaktuar.

Bëhet fjalë për shkelje që lidhen me periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2018, ndërsa sipas gjetjeve të komisionit, Manchester City ka përdorur kontrata fiktive për të fryrë artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot e klubit.

Tani pritet vendimi përfundimtar për dënimin. Manchester City mund të përballet me një gjobë, një zbritje të konsiderueshme pikësh, kufizime të ndryshme apo edhe me përjashtim nga Premierliga. Sanksionet ende nuk janë bërë publike dhe klubi ka paraqitur ankesë ndaj vendimit. Rreziku i rënies në Championship lidhet pikërisht me një penalizim të madh në pikë.

Nëse City do të humbte aq shumë pikë sa të përfundonte në zonën e rënies, atëherë do të zbriste në kategorinë e dytë të futbollit anglez.

Situata mund të jetë edhe më dramatike. Rregulloret parashikojnë mundësi për sanksione edhe më të rënda, përfshirë përjashtimin nga Premierliga në një skenar ekstrem. Në këtë rast, nuk do të bëhej fjalë thjesht për një rënie sportive në Championship, pasi rikthimi në sistemin e ligave angleze do të varej nga vendimet e strukturave përkatëse. “Citizens” e kanë kundërshtuar vendimin dhe kanë deklaruar se janë të zhgënjyer dhe të befasuar nga përfundimet e komisionit, duke këmbëngulur se janë të pafajshëm. Klubi ka paraqitur ankesë dhe ka thënë se do ta ndjekë procesin ligjor. Ndërkohë, klubet rivale të Premierligës janë duke e ndjekur me shumë vëmendje situatën, ndërsa disa prej tyre po e shqyrtojnë edhe mundësinë e veprimeve ligjore për dëmet që pretendojnë se i kanë pësuar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së Justina…