Qeveria i kërkon presidentes autorizimin për marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Investime
Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për t’i kërkuar presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për Ministrin e Financave për nënshkrimin e një marrëveshjeje kredie me Bankën Evropiane për Investime.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bëhet fjalë për Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin për Përmirësim të Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin për Përmirësim të Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ky projekt lidhet me përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës në institucionet shëndetësore të Kosovës. Më herët, Qeveria ka miratuar edhe nismën për negocimin e kësaj marrëveshjeje me Bankën Evropiane për Investime.



