Ambasadori gjerman: Pas zgjidhjes së krizës, Kosova mund ta ndjekë aktivisht agjendën evropiane
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se pas zgjidhjes së krizës institucionale, Kosova tashmë e ka krijuar mundësinë për të ndjekur në mënyrë aktive agjendën e saj evropiane.
Në pritjen e organizuar me rastin e “Ditës së Bashkimit Gjerman”, Rudolph tha se pret që bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Kosovës të vazhdojë me energji të re, si në raportet dypalëshe, ashtu edhe në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punoj me energji të re, si në bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe në agjendën evropiane të Kosovës. Duke krijuar institucione stabile, vendi tashmë e ka vendosur veten në pozitë që ta ndjekë sërish në mënyrë aktive këtë agjendë. Kjo nuk do të thotë se rruga përpara do të jetë gjithmonë e lehtë. Ky proces do të kërkojë ende debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët. Dhe do të doja të shtoja se edhe përvoja e vendit tim është dëshmi për këtë”, ka thënë Rudolph.
Ambasadori gjerman ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë ta ndjekë synimin për integrim në strukturat evropiane, duke thënë se e kupton padurimin e qytetarëve për një proces që, sipas tij, po zgjat shumë.
“E di se në Kosovë ka padurim për një proces që tashmë duket se po zgjat shumë dhe, më besoni, edhe unë e ndaj këtë padurim. Por, në njëfarë kuptimi, qëllimi i integrimit të plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa ishte kur ju nisët këtë rrugë”, është shprehur ai.
Rudolph ka folur edhe për ndryshimet në peizazhin politik dhe të sigurisë në Evropë, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë dhe sulmet hibride ndaj disa vendeve evropiane.
Ai ka theksuar se në këtë situatë Kosova duhet ta shohë integrimin evropian jo vetëm si objektiv të brendshëm, por edhe si kontribut për paqen dhe sigurinë në kontinent.
“Peizazhi politik dhe i sigurisë në kontinentin tonë është në ndryshim në një mënyrë që nuk e kemi parë prej shumë vitesh. Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës është në vitin e saj të pestë. Vendi im dhe disa të tjerë kanë qenë cak i të ashtuquajturave sulme hibride. Në këtë mjedis, Kosova tani nuk mund dhe nuk duhet të shikojë më vetëm nga brenda, por përkundrazi duhet ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë”, ka deklaruar ambasadori gjerman.
Rudolph ka vlerësuar edhe zhvillimin e Kosovës gjatë 18 vjetëve të pavarësisë, duke thënë se vendi ka ndërtuar një shtet me demokraci të gjallë, sundim të ligjit dhe liri të shprehjes.
Ai ka thënë se Kosova duhet të ndërtojë mbi sukseset e arritura dhe të sjellë në tryezën evropiane potencialin e saj si një shtet i ri dhe në zhvillim.
“Gjatë këtyre 18 vjetëve, ju keni ndërtuar me sukses një shtet me një demokraci të gjallë, ku sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes janë të garantuara. Një shtet që ofron mbrojtje të veçantë për ata qytetarë të Republikës që u përkasin komuniteteve joshumicë, dhe një shtet që gjithnjë e më shumë po bëhet ofrues i sigurisë në Evropë. Tani, besoj se është koha të ndërtojmë mbi këtë sukses”, ka thënë Rudolph.
Ambasadori gjerman ka folur edhe për takimet e tij me të rinjtë në shkolla të mesme dhe universitete, duke thënë se e ka inkurajuar fakti se shumë prej tyre e shohin të ardhmen e tyre personale në Evropë.
Ai ka thënë se ambicia e Kosovës mund të jetë edhe më e madhe, duke theksuar se i sheh të rinjtë kosovarë si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.
“Unë i shoh të gjithë të rinjtë kosovarë si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Tek ata shoh atë që na nevojitet në Evropë dhe atë për të cilën jam shpresëplotë: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore. Jam i lumtur që vendi tani është i gatshëm të ecë përpara. Gjermania do të vazhdojë të jetë me ju në këtë rrugëtim, si mik dhe partner, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, shtoi Rudolph.



