Hamiti: Prej ardhjes së LV-së në pushtet, Kosova i ka punët më keq brenda dhe në marrëdhëniet me botën
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke vlerësuar se që nga ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) në pushtet më 2021, Kosova ka shënuar përkeqësim të gjendjes së brendshme dhe të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Në një postim në “Facebook”, Hamiti ka përmendur sanksionet financiare të Bashkimit Evropian, pezullimin e qindra milionë eurove për projekte në Kosovë dhe pezullimin e Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Prej ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet më 2021, me premtime për ndryshim, Kosova i ka punët më keq brenda, por edhe në marrëdhënie me botën. Kosova ishte nën sanksione të ashpra financiare të BE-së – për herë të parë në historinë e vet – nga mesi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2026. Na u pezulluan qindra milionë euro për projekte jetike për qytetarët e vendit. ShBA-të e pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën në shtator të vitit 2025 për shkak të politikave të Qeverisë së Vetëvendosjes. Kur dukej gati punë e kryer, Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës para dy vjetësh. Ka kohë që për njohje të reja të Kosovës as që flet kush”, ka shkruar Hamiti.



