Gashi: Koha që LDK-ja ta qartësojë rrugën e saj, pas bashkëpunimit LV-PDK s’ka më arsye të demonizohen kundërshtarët
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, pas bashkëpunimit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që çoi në zgjedhjen e presidentes së re, ka thënë se beson që ky është fundi i një tranzicioni dhe fillimi i një cikli të ri politik në Kosovë.
Muajt në vijim do ta dëshmojnë këtë, ka thënë Gashi, duke shtuar se bashkëpunimet mes partive politike nuk duhet të “demonizohen”.
“Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Sa i përket partisë së tij, Gashi ka thënë se ka ardhur koha që LDK-ja ta përcaktojë qartë rrugën e saj.
“Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka shkruar Gashi.



