Ambasadori Reka diskuton me përfaqësues të CUNY-t mundësitë e bashkëpunimit për anëtarësimin e Kosovës në OKB
Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka priti në takim përfaqësues të Universitetit të Qytetit të Nju-Jorkut (CUNY): Dr. Eli Karetny, zëvendësdrejtor i Institutit Ralph Bunche dhe drejtor i Projektit për Studimet mbi Fenomenet Anormale të Paidentifikuara (UAP) dhe Sigurinë Ndërkombëtare, si dhe Joel Kady, themelues i Future Folklore, konsulent i teknologjisë dhe bashkëthemelues i Grupit të Punës për Angazhimin në OKB lidhur me UAP-të, pranë Institutit Ralph Bunche të CUNY-t.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me Institutin Ralph Bunche për Studime Ndërkombëtare, me theks të veçantë në angazhimin e tij në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe akademike, të cilat do të kontribuonin në avancimin e argumenteve dhe të përpjekjeve diplomatike në mbështetje të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.



