Rrjeti i Grave të Kosovës reagon për vrasjen në Gjilan
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas vrasjes së një gruaje në Gjilan, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Në të njëjtën ngjarje, jetën e humbi edhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër, që është xhaxhai i viktimave, mbeti i plagosur.
Përmes një reagimi, RrGK ka theksuar se vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj është akt i rëndë dhune, i cili nuk mund të arsyetohet me konflikte apo mosmarrëveshje të mëhershme.
“Asnjë rrethanë nuk e justifikon marrjen e jetës së një gruaje”, thuhet në reagimin e organizatës.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka theksuar se kjo ngjarje rikujton edhe një herë pasojat fatale të dhunës ndaj grave dhe nevojën urgjente për parandalimin e saj, si dhe për reagim efektiv nga institucionet përgjegjëse.
Ky rrjet ka kërkuar hetim të plotë të rastit.
“RrGK kërkon hetim të plotë të rastit, zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vënien para drejtësisë të personit përgjegjës. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ndaj së cilës institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe pa vonesa”.



