Altin Krasniqi i drejtohet ambasadorit gjerman: Çfarë është drejtësia për ju dhe për shtetin që përfaqësoni?
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i është drejtuar me një reagim publik ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, duke kërkuar transparencë lidhur me vizitën e raportuar në Gjykatën Kushtetuese dhe duke ngritur pikëpyetje për standardet e drejtësisë ndërkombëtare.
Krasniqi ka shprehur bindjen se vizita e ambasadorit mund të jetë e lidhur me shqetësimet për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duke iu referuar deklaratës së zëdhënëses së ambasadës gjermane për REL-in, sipas së cilës Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, deputeti i PDK-së ka kërkuar që i njëjti parim të vlejë edhe për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Prandaj, presim që arsyet dhe përmbajtja e kësaj vizite të bëhen publike sa më parë”, ka shkruar Krasniqi, duke ngritur shqetësimin se një vizitë e tillë, nëse synon të ndikojë në vendimmarrjen e gjykatës, do të përbënte çështje serioze për pavarësinë e institucioneve të Kosovës.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka vënë në pikëpyetje edhe qëndrimin e Gjermanisë ndaj drejtësisë ndërkombëtare, duke përmendur rastin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarrest në nëntor të vitit 2024.
Ai ka rikujtuar deklaratat e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për mundësinë e një vizite të Netanyahut në Gjermani, duke ngritur pyetjen nëse standardet e drejtësisë zbatohen njësoj për të gjithë.
“Drejtësia ose është e barabartë për të gjithë, ose shndërrohet në instrument të pushtetit”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, Krasniqi ia ka kushtuar edhe procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë babanë e tij, Jakup Krasniqin, si dhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Ai ka ngritur pikëpyetje për shqetësimet e shprehura nga ekipet mbrojtëse lidhur me paanshmërinë e procesit dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve, duke kritikuar, sipas tij, mungesën e të njëjtit nivel të llogaridhënies ndaj institucioneve ndërkombëtare.
Krasniqi ka theksuar se mirënjohja për ndihmën që Gjermania i ka dhënë Kosovës nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi dhe për të kritikuar veprimet që konsiderohen të padrejta.
“Ne nuk ju detyrohemi heshtje. Nuk ju detyrohemi bindje. Dhe, mbi të gjitha, nuk ju detyrohemi të pranojmë çdo vendim si të drejtë vetëm sepse vjen nga një institucion ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, deputeti i PDK-së ka kërkuar transparencë nga ambasadori gjerman, respektim të pavarësisë së institucioneve të Kosovës dhe zbatim të standardeve të njëjta të drejtësisë, duke theksuar se vendi duhet të ketë të drejtën të vendosë vetë për çështjet që i takojnë institucioneve të tij.



