Hisen Berisha shtron dilemën për Specialen: Ndryshim i ligjit apo zhbërje e saj?
Ish-deputeti dhe gjenerali Hisen Berisha ka reaguar lidhur me mundësinë e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ulja e dënimeve, kufizimi i juridiksionit dhe zhbërja e këtij institucioni janë çështje të ndryshme juridike.
Në një postim, Berisha ka thënë se debati pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk duhet të kufizohet vetëm te kohëzgjatja e dënimeve, por duhet të përfshijë edhe statusin juridik dhe politik të Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, projektligji parasheh që dënimi maksimal të jetë 15 vjet burgim, që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës dhe të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Berisha ka theksuar se ndryshimi i maksimumit të dënimit nuk nënkupton automatikisht anulimin e aktgjykimit apo zhdukjen e përgjegjësisë penale të konstatuar nga gjykata.
“Një kufizim i dënimit nuk është i njëjtë me rrëzimin e aktgjykimit. Vuajtja e dënimit në Kosovë nuk është e njëjtë me lirimin. Falja presidenciale nuk është e njëjtë me pafajësinë”, ka shkruar ai.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e kufizimit të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se çdo ndryshim duhet të përcaktojë qartë se cilat çështje do të mund të transferohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës, në cilën fazë procedurale dhe mbi çfarë baze juridike.
Sipas Berishës, duhet të bëhet dallimi ndërmjet ndryshimit të regjimit të dënimeve, rikonfigurimit të juridiksionit dhe një nisme që synon defunksionalizimin ose zhbërjen e Dhomave të Specializuara.
“Nëse synimi është ndryshimi i dënimit, le të thuhet se synohet ndryshimi i dënimit. Nëse synimi është kufizimi i juridiksionit, le të thuhet se synohet kufizimi i juridiksionit”, ka deklaruar ai.
Berisha ka vlerësuar se, nëse objektivi politik është zhbërja e Dhomave të Specializuara, kjo duhet të trajtohet si një projekt i veçantë shtetëror, me përcaktim të rrugës juridike dhe të pasojave institucionale e ndërkombëtare.
Ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e formulimit të konstatimeve gjyqësore lidhur me luftën e UÇK-së, duke theksuar se interpretimi juridik i historisë së luftës mund të ketë pasoja politike, historike dhe diplomatike për Kosovën.
Në fund, Berisha ka shtruar pyetjen se çfarë zgjidhjeje juridike dhe shtetërore synon Kosova përballë Dhomave të Specializuara: ndryshimin e ligjit pa e rrëzuar konstatimin e fajësisë apo zhbërjen e këtij institucioni, duke hapur çështjen e vlefshmërisë së veprimeve të tij të deritanishme.
Shkrimi i plotë:
SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?
Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund të reduktohet në pyetjen se sa vite duhet të jetë dënimi. Çështja themelore është se çfarë statusi juridik dhe politik duhet të ketë më tej sistemi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, e të tjerët.
Prandaj, çdo nismë për ndryshimin e ligjit duhet ta konsideroj një dallim thelbësor, se ndryshimi i maksimumit të dënimit nuk është, në vetvete, rrëzim i aktgjykimit dhe as shfuqizim i përgjegjësisë penale të konstatuar nga gjykata.
Projektligji i paraqitur në Kuvend parasheh që Dhomat e Specializuara të mund të shqiptojnë dënim me burgim jo më të gjatë se 15 vjet, duke iu referuar parimit lex mitior – zbatimit të ligjit më të butë në favor të të akuzuarit ose të dënuarit, sipas kushteve juridike përkatëse.
Po ashtu, parashihet që “dënimet ti vuajnë në institucionet korrektuese të Kosovës” dhe që “të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale”.
Parimisht, ‘ulja e maksimumit të dënimit përbën ndërhyrje në regjimin juridik të sanksioneve’ penale. Megjithatë, duhet bërë ‘dallimi ndërmjet dënimit dhe fajësisë’.
Nëse ‘një aktgjykim mbetet në fuqi dhe konstatimi i fajësisë nuk ndryshohet, ulja e maksimumit të dënimit nuk e zhduk vetvetiu atë konstatim’.
Prandaj, kjo çështje nuk mund të reduktohet vetëm në përcaktimin e masës së dënimit.
Çështja themelore është nëse synohet ndryshimi i pasojave të aktgjykimit, ndryshimi i juridiksionit dhe i mandatit të institucionit, apo një objektiv më i gjerë politik dhe juridik që lidhet me vetë ekzistencën e Dhomave të Specializuara.
Një tjetër element i projektligjit është “kufizimi i juridiksionit”.
Ai synon ngushtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë më ngushtë me pretendimet specifike të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe me kornizën fillestare të mandatit.
Për ‘rastet që do të konsideroheshin jashtë këtij juridiksioni’, parashihet edhe transferimi në institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Kjo e bën çështjen shumë më të rëndësishme sesa thjesht uljen e dënimit.
Njëra qasje është ndryshimi i mënyrës së zbatimit të dënimit.
E dyta është ndryshimi i juridiksionit dhe i mandatit të institucionit.
Një qasje tjetër, me objektiv dukshëm më të gjerë politik, është kërkesa për defunksionalizimin dhe zhbërjen e Dhomave të Specializuara.
Këto qasje nuk janë juridikisht të njëjta dhe në komunikimin publik, duhet të jemi konciz.
Meqë projektligji u miratua politikisht, dhe nëse e kalon edhe kontrollin kushtetues, se prap, kjo nuk do të thotë automatikisht se një aktgjykim i dhënë nga Dhomat e Specializuara shpallet i pabazë ose anulohet.
Një ‘kufizim i dënimit’ nuk është i njëjtë me rrëzimin e aktgjykimit’.
‘Vuajtja e dënimit’ në Kosovë nuk është e njëjtë me lirimin.
‘Falja presidenciale’ nuk është e njëjtë me pafajësinë.
‘Kufizimi i juridiksionit për raste të ardhshme’ nuk është i njëjtë me anulimin e një aktgjykimi të dhënë tashmë.
Një tjetër çështje që duhet trajtuar me kujdes është interpretimi i luftës së UÇK-së.
Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 nuk i shpalli të akuzuarit fajtorë për krime kundër njerëzimit. Përkundrazi, Prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Ky dallim është juridikisht i rëndësishëm.
Prandaj, në trajtimin serioz të kësaj çështjeje në nivel shtetëror, mënyra se si formulohen ‘konstatimet gjyqësore’ mund të ketë pasoja të rëndësishme në interpretimin politik, historik dhe diplomatik të luftës.
Pikërisht për këtë arsye, Republika e Kosovës ka interes të trajtojë me seriozitet çdo çështje që prek ‘interpretimin juridik të historisë së luftës’.
Pyetja që duhet t’i shtrohet Kuvendit dhe deputetëve është e qartë, cili është objektivi juridik dhe shtetëror i këtij ndryshimi të ligjit?
Nëse objektivi është vetëm ‘humanizimi i dënimeve’, atëherë kemi të bëjmë me një ndërhyrje në regjimin e sanksioneve penale.
Nëse objektivi është ‘kufizimi i mandatit’, atëherë kemi të bëjmë me një rikonfigurim të juridiksionit.
Nëse objektivi është ‘transferimi i çështjeve të caktuara në Kosovë’, atëherë duhet të sqarohet saktësisht se cilat çështje transferohen, në cilën fazë procedurale dhe mbi çfarë baze kushtetuese e ndërkombëtare.
Por, nëse i qasemi me “Doktrinën Trump” kësaj çështje, dhe objektivi politik është – Zhbërja e Dhomave të Specializuara – atëherë kjo duhet të thuhet hapur dhe të trajtohet si çështje më vete. Zhbërja kërkon projekt të veçantë shtetëror.
Kërkesa për zhbërjen e Dhomave të Specializuara është një pozicion politik dhe juridik shumë më i gjerë sesa kërkesa për uljen e dënimeve.
Përcaktimi për këtë objektiv, duhet të paraqitet hapur si projekt shtetëror, me përcaktim të rrugës juridike dhe të pasojave institucionale.
Zhbërja nuk është thjesht një ndryshim i nenit që përcakton dënimin maksimal. Ajo kërkon trajtimin e veçantë dhe abrogim të bazës juridike të ekzistencës së Dhomave dhe të derogimit të obligimeve ndërkombëtare që lidhen me to, përfshirë marrëveshjet përkatëse me Bashkimin Evropian, si dhe të derogimit të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe abrogimit të instrumenteve juridike përkatëse.
Një projekt i tillë duhet të përcaktojë së paku, abrogimin e bazes ligjore me ketë defunksionalizimin e Dhomave, të pasojave mbi procedurat ekzistuese që janë në zhvillim dhe aktgjykimet e dhëna, të kompetencave të institucioneve rezidente të Kosovës, të obligimeve ndërkombëtare dhe të të drejtave të të akuzuarve, të dënuarve dhe të viktimave.
Kjo është shumë më tepër sesa një nen që e vendos dënimin maksimal në 15 vjet.
Pas 16 shtatorit 2026, çështja e Dhomave të Specializuara ka hyrë në një fazë të re juridike dhe politike.
Ndryshimi i dënimeve, vuajtja e tyre në Kosovë, mundësia e faljes presidenciale dhe ngushtimi i juridiksionit mund të kenë pasoja të rëndësishme, por nuk duhen paraqitur automatikisht si anulim i aktgjykimeve apo si eliminim i përgjegjësisë penale të konstatuar nga gjykata.
Nëse synimi është ndryshimi i dënimit, le të thuhet se synohet ndryshimi i dënimit.
Nëse synimi është kufizimi i juridiksionit, le të thuhet se synohet kufizimi i juridiksionit.
Nëse synimi është kthimi i çështjeve të caktuara në sistemin gjyqësor të Kosovës, le të përcaktohet qartë se cilat çështje dhe në çfarë faze procedurale.
Dhe nëse synimi është zhbërja e Dhomave të Specializuara, atëherë pikërisht kjo duhet të jetë objekt i shqyrtimit juridik dhe politik.
Pyetja qendrore politike mbetet se, çfarë zgjidhjeje juridike dhe shtetërore kërkon Republika e Kosovës përballë kësaj arkitekture gjyqësore: ndryshimin e ligjit pa rrëzuar konceptin e fajësisë apo zhbërjen e Dhomave të Specializuara duke nulizuar veprimet formale-juridike të deritanishme?



