‘Mbi pesë vjet në pushtet, tash ministre e Drejtësisë’, Gërvalla thotë se nuk duhet pritur vrasja e grave për të reaguar

10 tetor 2026 | 15:25

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deklaruar se institucionet nuk duhet të presin që gratë të vriten për të reaguar, pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit. Por, sikur “harron” për përgjegjësinë e institucioneve që ajo vetë i përfaqëson, e habitshme se si një ministre e drejtësisë që ka të gjitha mekanizmat e shtetit në dispozicion deklarohet në këtë menyrë.

“Nuk guxojmë të presim që gratë të vriten për të reaguar. Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka shkruar Gërvalla.

Megjithatë, si ministre e Drejtësisë dhe pjesë e pushtetit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo prej vitesh, Gërvalla nuk është vetëm një zyrtare që reagon ndaj një tragjedie, por edhe pjesë e institucioneve që kanë përgjegjësi për politikat e parandalimit dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Vrasjet e grave nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo familjarët e tyre kanë vazhduar edhe gjatë kësaj periudhe.

Përballë këtyre rasteve, thirrjet për veprim dhe parandalim nuk janë të mjaftueshme pa një llogaridhënie konkrete për funksionimin e mekanizmave institucionalë.

Çështja që shtrohet është se çfarë kanë bërë institucionet për t’i mbrojtur gratë, sa efektive kanë qenë masat parandaluese dhe nëse janë identifikuar e adresuar dështimet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Gërvalla e cilësoi vrasjen e grave si krim që asnjë shoqëri nuk duhet ta trajtojë si të pashmangshëm. Por, pikërisht për këtë arsye, deklarata e saj kërkon edhe përgjigje për rezultatet e punës institucionale, e jo vetëm një zotim se tragjedi të tilla nuk duhet të përsëriten.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ilir Gacaferi nga Juniku shpall te pavlefshme deftesat e kl.…