Zelensky përpiqet ta shmangë përplasjen me Trumpin, ndërsa kërkon më shumë mbështetje nga Evropa
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po përpiqet të shmangë një përplasje të re me presidentin amerikan, Donald Trump, pas deklaratave të fundit për luftën në Ukrainë dhe marrëveshjet e mundshme me Rusinë. Pas tensioneve të reja me Uashingtonin, Zelensky po tregohet më i kujdesshëm në deklaratat publike dhe po kërkon mbështetje më të madhe nga aleatët evropianë.
Sipas Ruslan Bortnykut, drejtor i Institutit të Politikave të Kievit, kjo është periudha më e vështirë për Zelenskyn që nga viti 2022. Ai ka vlerësuar se Perëndimi është i ndarë në qëndrimet e tij, ndërsa Ukraina është e lodhur nga lufta dhe ka nevojë për ndihmë shtesë. Për këtë arsye, presidenti ukrainas po përpiqet t’i ruajë marrëdhëniet me Trumpin, me shpresën se situata politike në ShBA mund të ndryshojë pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Zelensky po shmang përplasjet e drejtpërdrejta me presidentin amerikan dhe po tregohet i gatshëm t’i shqyrtojë propozimet e tij, por pa hequr dorë nga kushtet që i konsideron të domosdoshme për Ukrainën.
Sa u përket zgjedhjeve në Ukrainë, Zelensky ka deklaruar se vendi është gati të votojë nëse Trumpi arrin ta bindë presidentin rus, Vladimir Putin, të pranojë një armëpushim prej dy muajsh. Kievi këmbëngul se zgjedhjet nuk mund të organizohen në kushtet aktuale të luftës pa garanci të mjaftueshme sigurie.
Një tjetër çështje e rëndësishme është propozimi për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të mos godasë objektet energjetike ruse, nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, ai ka theksuar se gjatë ditës kishte pasur sërish dronë rusë në hapësirën ajrore ukrainase dhe se ishin goditur edhe objektet energjetike të Ukrainës.
Presidenti ukrainas është shprehur se e mirëpret një marrëveshje të tillë, por ka kërkuar që deklaratat të shoqërohen me veprime konkrete. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë e kishte kufizuar më herët propozimin për armëpushim në një nismë që, në fazën e parë, do të përfshinte rafineritë e naftës, por që nuk ishte pranuar nga Kievi.
Tensionet janë shtuar edhe pas njoftimit për një marrëveshje lidhur me naftën dizel ruse. Zelensky ka reaguar ashpër, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe si një dhuratë për ditëlindjen e Putinit. Kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin e Trumpit, i cili ka thënë se Ukraina duhet të ketë një president të ri, të aftë për të arritur një marrëveshje, dhe i ka kërkuar Zelenskyt të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse.
Megjithatë, qëndrimet në ShBA nuk janë të njëjta. Shtatë senatorë amerikanë, katër republikanë dhe tre demokratë, kanë kërkuar tërheqjen e marrëveshjes për naftën dizel, duke argumentuar se ajo shkel ligjin amerikan.
Pavarësisht tensioneve, Zelensky po vazhdon të kërkojë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë. Gjatë ditës së djeshme, ai ka zhvilluar biseda me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin finlandez, Alexander Stubb, kryeministrin polak, Donald Tusk, kryeministrin kanadez, Mark Carney, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe me përfaqësues të Kongresit amerikan.
Gjatë bisedës me von der Leyen, Zelensky ka përmendur 1,24 miliardë eurot e marra për mbrojtjen dhe ndihmën e re ushtarake prej rreth 3 miliardë eurosh, që pritet të miratohet këtë javë.
Megjithatë, Ukraina mbetet e varur nga mbështetja amerikane, veçanërisht nga informacionet e shërbimeve të inteligjencës, sistemi satelitor Starlink dhe furnizimet me armë, përfshirë raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. Ndihma evropiane është e rëndësishme, por nuk mund t’i zëvendësojë plotësisht këto kapacitete.
Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të bëjë gjithçka të nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe se mbështet çdo nismë të partnerëve që mund të ndihmojë në arritjen e paqes. Ai ka kërkuar gjithashtu sqarime për bisedimet mes ShBA-së dhe Rusisë, si dhe që Putini t’i respektojë premtimet e bëra ndaj Trumpit.
Për organizimin e zgjedhjeve, presidenti ukrainas ka vendosur si kusht një armëpushim të plotë prej të paktën 60 ditësh. Moska e ka kundërshtuar disa herë mundësinë e një armëpushimi të tillë përpara arritjes së një marrëveshjeje, duke e bërë edhe më të vështirë organizimin e votimeve.
Pavarësisht presionit amerikan, Zelensky nuk duket i gatshëm të bëjë lëshime të mëdha në këtë fazë. Ai po përpiqet t’i ruajë marrëdhëniet me Trumpin, të sigurojë ndihma të reja dhe të forcojë bashkëpunimin me Evropën. Ndërkohë, Kievi synon të vazhdojë presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve më të ashpra, ndërsa kërkon një rrugë për t’i dhënë fund luftës pa cenuar sigurinë e Ukrainës.



