Pogba po e kërkon një mundësi të re, MLS-ja po bëhet destinacioni më i mundshëm

13 tetor 2026 | 12:15

Paul Pogba vazhdon ta kërkojë një skuadër të re për ta vazhduar karrierën e tij. Pas ndërprerjes së kontratës me Monacon gjatë verës, mesfushori francez është lojtar i lirë dhe po i shqyrton mundësitë për t’u rikthyer në nivelet më të larta të futbollit.

Në moshën 33-vjeçare, kampioni i botës me Francën në vitin 2018 ende nuk e ka vendosur se ku do të luajë në vazhdim.

Përvoja e tij në Monaco nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi pas përfundimit të pezullimit për doping, ai arriti t’i regjistronte vetëm gjashtë paraqitje me fanellën e klubit nga Principata.

Për shkak të vështirësive fizike dhe problemeve që e kanë shoqëruar gjatë viteve të fundit, rikthimi në një klub të nivelit të lartë në Evropë duket gjithnjë e më i vështirë.

MLS-ja, mundësia më konkrete për Pogban

Sipas raportimeve të “Daily Mail”, Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara mund të jetë destinacioni më i mundshëm për mesfushorin francez, përcjell “Gazeta Express”.

Rrethi i tij i afërt thuhet se kishte nisur që në muajin gusht të shqyrtonte mundësitë me disa klube amerikane, duke prezantuar profilin e ish-futbollistit të Manchester Unitedit dhe Juventusit.

Gjatë muajve të fundit, emri i Pogbas është lidhur me disa skuadra të MLS-së. Mes tyre janë përmendur DC United, Inter Miami, klubi ku aktivizohet Lionel Messi dhe që lidhet me David Beckhamin, si dhe New York City FC.

Megjithatë, deri tani nuk raportohet për negociata të avancuara apo kontakte zyrtare që do të konfirmonin një marrëveshje me ndonjërin prej këtyre klubeve.

Një transferim në SHBA mund t’ia ofronte Pogbas mundësinë për të luajtur rregullisht, për ta rifituar vazhdimësinë dhe për ta gjetur qetësinë pas disa sezoneve të vështira në Evropë.

Arabia Saudite, një mundësi më pak e mundshme

Një tjetër destinacion i përfolur ka qenë Arabia Saudite, por sipas raportimit të “TuttomercatoWEB”, kjo alternativë për momentin duket më pak e mundshme.

Pogba tashmë është përballur me një periudhë të gjatë larg fushave dhe aventura e shkurtër te Monaco nuk i dha rikthimin që shpresonte.

Tani, mesfushori francez duhet të vendosë për hapin e radhës, me MLS-në që po shfaqet si një mundësi për të rifilluar karrierën në një ambient të ri.

Për momentin, e ardhmja e tij mbetet e hapur dhe nuk ka asnjë marrëveshje të konfirmuar. /Gazeta Express

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka ngritur çështjen e hartimit…