Ja pse Dick Marty ishte i përshtatshëm për rusët: ishte një “idiot i dobishëm” dhe kishte zili ndaj Pontes
Në vazhdim të intervistës ekskluzive për “Epokën e re” që do të botohet e tërësishme, por fillimisht pjesë-pjesë, studiuesi i njohur francez Serge MÉTAIS tregon gjëra që nuk ishin thënë më herët. Rusët kishin depërtuar thellë në psikologjinë e një “idioti të dobishëm”.
MÉTAIS: “Ndryshe nga “agjenti”, një “idiot i dobishëm” është njeri i lirë. Shpreh ndjenja të mira dhe është i lidhur me vlerat universale të qytetërimit. Beson se vepron sipas vullnetit të vet. Në të vërtetë, ai është i manipuluar. Ka dobësi psikologjike, përgjithësisht të lidhura me egon dhe nevojën për t’iu njohur meritat. Pikërisht këto dobësi i shfrytëzojnë ata që e manipulojnë. Mua më duket se Dick Marty i përshtatet plotësisht këtij përkufizimi. Ai ishte i përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Luftonte organizatat mafioze. Në parim, gjithçka duhej ta vinte në kundërshtim me regjimin e Putinit. Por, për arsye të pashpjegueshme, ai mendonte se mund të bashkëpunonte me agjentët rusë të ndikimit për t’i arritur qëllimet e veta. Ishte i bindur për fajësinë e kosovarëve në trafikimin e organeve. I besonte asaj që thoshin burime të shumta pseudogazetareske, të ushqyera me informacione nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse”.
Dobësitë psikologjike të Martyt
MÉTAIS: “Sa iu përket dobësive psikologjike që shfrytëzonin ata që e manipulonin, mund vetëm të hamendësohet. Nga dëshmi të ndryshme të vëzhguesve që e njihnin mirë, del në pah nevoja e tij për njohje dhe famë. Po ashtu, edhe zilia. Thuhet se e kishte zili Carla Del Ponten. Ashtu si ajo, vinte nga Tiçinoja. Ashtu si ajo, kishte bërë karrierë si prokuror. Karriera e Carla Del Pontes ishte e shkëlqyer. Ajo kishte drejtuar Prokurorinë Federale të Zvicrës. Kishte luajtur rol qendror në hetimin për Mabetexin (kompania e Behgjet Pacollit, me seli në Lugano të Tiçinos), që kishte rinovuar Kremlinin. Ajo kishte zbuluar se komisione të fshehta ishin derdhur në llogari në Bankën e Gotthardit, të lidhura me karta krediti në emër të vajzave të Boris Jelcinit. Më pas, në gusht 1999, Carla Del Ponte ishte emëruar në krye të Prokurorisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo kishte goditur Millosheviqin, Mlladiqin dhe Karaxhiqin. Qëndroi në krye të Prokurorisë së këtij tribunali deri në fund të vitit 2007. Në vitin 2008, kur Dick Marty u caktua nga Komisioni për Çështje Juridike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kryente një hetim mbi bazën e mocionit të Kosachevit, ai, sipas kësaj hipoteze, donte të tregonte se Carla Del Ponte nuk vlente asgjë. Ajo nuk kishte qenë në gjendje të provonte fajësinë e drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, përkundrazi, do të mund ta bënte këtë. Ishte njeriu i përkryer për t’u instrumentalizuar nga shërbimet sekrete ruse”.
(Do të vijojnë pjesët tjera të intervistës para botimit integral)
(Serge Métais (1952) është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez, ish-pedagog universitar, i njohur për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike. Në vitin 2006, shtëpia botuese prestigjioze franceze Fayard botoi veprën e tij madhore, Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Historia e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës )



