INTERVISTË / Rrënjët e manipulimit rus që sollën Gjykatën Speciale, sipas studiuesit francez Serge MÉTAIS

13 tetor 2026 | 16:51

Në një intervistë të gjatë ekskluzive për “Epokën e re”, që do të botohet e tërësishme më vonë, studiuesi i njohur francez Serge MÉTAIS shpërfaq rrënjët e manipulimit të shërbimeve sekrete ruse me librin e Carla del Pontes dhe karakterin ziliqar të Dick Martyt ndaj Pontes, rrjedhimisht manipulimin e tërë Evropës kundër Kosovës së saposhpallur shtet atëherë (2008).

“Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse nisi pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai drejtohej kundër evropianëve, të cilët asokohe ishin thellësisht të përçarë për njohjen e kësaj pavarësie. Ky manipulim shfaqet si pararendës i luftës hibride që Rusia e Putinit zhvillon sot kundër Evropës. Synimi i tij ishte që evropianët të mbeteshin të përçarë për një kohë të gjatë rreth njohjes së Kosovës, përmes hartimit të një raporti që do ta mbante vulën ‘Këshill i Evropës’ dhe do t’i dënonte moralisht përgjegjësit më të lartë të shtetit të ri”, thotë Métais, ndërsa “formalisht, manipulimi nisi me paraqitjen e një mocioni nga një parlamentar rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prill të vitit 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.  Kjo Asamble për shërbimet sekrete ruse ishte “bazë e jashtëzakonshme për lëshimin e disa prej operacioneve të tyre të dezinformimit”.

“Dick Marty ishte ai që, sipas një tradite shprehjeje që zakonisht i atribuohet Leninit, e quajmë ‘idiot i dobishëm’. Është e rëndësishme të kuptohet çfarë nënkupton kjo në rastin konkret”. Por, çfarë është ky lloj i “idiotit”?
MÉTAIS: “Së pari duhet saktësuar se një “idiot i dobishëm” nuk është “agjent”. Një agjent i shërbimeve sekrete ruse në kohën e Putinit, ashtu si një agjent i shërbimeve sekrete serbe në kohën e Millosheviqit, nuk është njeri i lirë. Ai është “i shtrënguar”. Për arsye të ndryshme, e ka humbur lirinë e veprimit. Mund të ketë dhënë betimin se do t’u bindet urdhrave (siç ndodh me një agjent profesionist). Por kjo nuk është e domosdoshme. Thjesht, ai ka mundur të jetë i shtrënguar, për arsye se këto shërbime do të posedonin mjete të ndryshme presioni ndaj tij, për ta detyruar të veprojë në rrethana të caktuara. Ato mund të kenë mjete ta shtinë “të këndojë” (për shembull, duke zbuluar çështje komprometuese që lidhen me të)”.

(Detajet në një tekst të mëvonshëm në gazetë)

(Serge Métais (1952) është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez, ish-pedagog universitar, i njohur për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike. Në vitin 2006, shtëpia botuese prestigjioze franceze Fayard botoi veprën e tij madhore, Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Historia e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës )

No description available.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komandanti i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës…