Komisioni për Arsim nuk siguron kuorum për votimin e ndryshimeve buxhetore për vitin 2026
Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, i drejtuar nga kryetari Enver Hoxhaj, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, për fushat që bien në fushëveprim të këtij komisioni.
Pas diskutimeve dhe vërejtjeve të paraqitura nga deputetët, kryetari i komisioni e hodhi në votim projektligjin, por për të njëjtin nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Në vijim, komisioni shqyrtoi Planin e punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026. Gjatë diskutimit, deputetët paraqitën propozimet e tyre lidhur me aktivitetet dhe prioritetet e komisionit, ndër të cilat raportimi i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për hartimin e strategjisë së arsimit, organizimi i tryezave për çështje që lidhen me mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkolla, si dhe vizitat në institucionet e arsimit parauniversitar dhe universitar.
Në përfundim, u dakordua që propozimet, sugjerimet dhe vërejtjet e deputetëve të shqyrtohen në mbledhjen e radhës, me qëllim të përgatitjes së mëtejshme të Planit të punës dhe vazhdimit të procedurave përkatëse.



