Rindërtohet një pjesë e historisë së Belles, nis puna në Kullën e Lan Halilit (foto)
Në Belle të Mesme të Deçanit ka nisur rindërtimi i Kullës së Lan Halilit, një monument me rëndësi historike, i cili po realizohet me fondet e Ministrisë së Kulturës.
Këtë e ka bërë të ditur afaristi Ramush Ahmetaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka rikujtuar historinë e kullave të Belles dhe ngjarjet tragjike që kanë përjetuar banorët e kësaj ane.

Sipas Ahmetajt, Kulla e Lan Halilit ishte tri katëshe, ashtu si edhe Kulla e Hazir Lahës. Në Belle të Mesme kanë qenë tri kulla të njohura: ajo e Lan Halilit, e Hazir Lahës dhe e Ali Metës.
Ai ka rikujtuar se kullat e Belles janë djegur dhe shkatërruar disa herë, ndërsa në vitin 1912, sipas tij, Belleja u dogj tërësisht. Në këtë periudhë ndodhën edhe masakrat e 14 tetorit 1912 dhe të 16 marsit 1913, të kryera nga ushtria serbo-malazeze, e udhëhequr nga Savë Batarja-Llazareviqi, me ç’rast, sipas postimit, u vranë 12 persona nga Belleja.

Në mesin e viktimave ishin edhe Lan Halili, djemtë e tij Iseni dhe Agushi, si dhe familjarë të tjerë.
Ahmetaj ka shprehur falënderim dhe respekt për arkitekten Ardiana Qorrajn, për përkujdesjen dhe angazhimin në realizimin e projektit, si dhe për nënkryetarin e Komunës së Deçanit, Sami Cacajn, për përkrahjen e dhënë.

Në foto afaristi Ramush Ahmetaj
Ai ka theksuar se kullat bartin histori të gjatë dhe se ruajtja e tyre është e rëndësishme për trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike të kësaj ane.
Rindërtimi i Kullës së Lan Halilit po realizohet nga kompania “Ahmetaj Grup”, ndërsa Ahmetaj ka bërë të ditur se do të vazhdojnë edhe projekte të tjera për ndërtimin dhe ruajtjen e kullave, mullinjve dhe monumenteve të vjetra.




