Ende punon në barin e tij, historia e 103-vjeçarit që nuk njeh pensionin prej më shumë se 6 dekadash!

14 tetor 2026 | 15:26

Në moshën 103-vjeçare, kur shumica e njerëzve prej kohësh kanë dalë në pension, Irvin E. Koch vazhdon të presë klientët pas banakut të lokalit të tij, të cilin e drejton që prej vitit 1963. I njohur si Irv, ai jeton në Pasadena të Marylandit, në Shtetet e Bashkuara, ku prej më shumë se gjashtë dekadash mban hapur një bar të vogël në bodrumin e shtëpisë. Historia e tij nisi rastësisht në vitin 1963, kur bleu një shtëpi dhe zbuloi se në bodrum ndodhej një bar. Në vend që ta mbyllte, vendosi ta kthente në biznesin e tij.

“Ishte në shitje. Ne kishim nevojë për një shtëpi, ndaj e blemë. Dhe e dini çfarë? Bari ishte i përfshirë”, ka treguar ai për The Washington Post. Veterani i Luftës së Dytë Botërore, i cili shërbeu në Filipine, kishte punuar më parë si ndërtues dhe hidraulik. Por që prej hapjes së lokalit nuk ka pasur një punë tjetër.

Bari, i njohur si “Irv’s Basement Bar”, është një udhëtim në të kaluarën. Brenda tij gjenden një makinë e vjetër muzikore, një arkë historike, tavolina të konsumuara dhe mure të mbushura me shënime nga klientët. Një tjetër veçori është se lokali pranon vetëm pagesa me para në dorë dhe nuk ka as faqe interneti, as numër telefoni apo orar të përcaktuar.

Irv e hap barin kur mbërrin klienti i parë dhe e mbyll pasi largohet i fundit. Në tavan varen edhe reçipeta të lëna ndër vite nga klientet, një traditë që, sipas tij, nisi nga një grua me emrin Amy. Kur e pyetën nëse ishte banakieri më i moshuar në botë, 103-vjeçari u përgjigj me humor: “Ende nuk e kam shëtitur gjithë botën.” Sipas djalit të bashkëshortes së tij, Jason Cook, ajo që e mban aktiv nuk është fitimi, por dashuria për komunikimin me njerëzit. Edhe pas 63 vitesh, Irv vazhdon të qëndrojë pas banakut, duke ruajtur një lokal që ka ndryshuar shumë pak në një botë gjithnjë e më digjitale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në kuadër të aktiviteteve të FIFA Talent Academy Kosova, në…