Qeveria miraton propozim-vendimet për marrëveshjet e sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë
Qeveria e Kosovës ka miratuar dy propozim-vendime të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, për t’i kërkuar presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë.
Lajmin e ka bërë me dije ministri Andin Hoti, i cili tha se këto marrëveshje janë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave sociale të qytetarëve që kanë punuar në Kosovë, Austri apo Turqi.
Sipas tij, përmes këtyre marrëveshjeve synohet të krijohet baza ligjore për njohjen dhe bashkërendimin e periudhave të sigurimit, realizimin e të drejtave pensionale dhe mundësinë që qytetarët t’i marrin pensionet në vendin ku jetojnë, pas plotësimit të kushteve ligjore.
Hoti theksoi se, pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, marrëveshjet do të hapin mundësi të reja për qytetarët, veçanërisht për bashkatdhetarët që kanë kontribuar për shumë vite në këto dy shtete.



