Konsultimet me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+ vazhduan në Prishtinë

14 tetor 2026 | 15:26

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë vazhduar në Prishtinë ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

Para takimit me mësimdhënësit e rajonit të Prishtinës, ministri Çeku, së bashku me kryesinë e SBAShK-ut, kanë vizituar Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi” në Prishtinë, ku janë njohur nga afër me punën dhe veprimtarinë e këtij institucioni, angazhimin e stafit të qendrës në mbështetjen e nxënësve, si dhe me rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillimin e tyre arsimor.

Përvojat e institucioneve të tilla përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në identifikimin e nevojave dhe në përcaktimin e prioriteteve për një sistem arsimor gjithëpërfshirës në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2035+.

Ndërsa, gjatë bashkëbisedimit me mësimdhënësit, ministri Çeku theksoi se Strategjia e Arsimit 2035+ duhet të ndërtohet duke pasur parasysh nevojat reale të institucioneve arsimore dhe përvojën e drejtpërdrejtë të mësimdhënësve.

Ai vlerësoi se konsultimet me komunitetin arsimor janë të rëndësishme për identifikimin e sfidave konkrete dhe mbledhjen e propozimeve që do të shërbejnë si bazë për politikat dhe reformat e ardhshme në arsim.

Gjithashtu, ministri Çeku u shpreh se mësimdhënësit duhet të kenë më shumë hapësirë për vendimmarrje në shkollë, mbështetje të vazhdueshme profesionale dhe mundësi avancimi, teksa falënderoi mësimdhënësve e rajonit të Prishtinës për diskutimin e sinqertë dhe kontributin e tyre.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe shprehu gatishmërinë e sindikatës për të kontribuar në hartimin e strategjisë. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e arsimit.

Mësimdhënësit, gjatë bashkëbisedimit, ndanë përvojat e tyre profesionale, ngritën çështje që lidhen me sfidat në institucionet arsimore dhe paraqitën propozime konkrete që do të ndihmojnë në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

Konsultimet rajonale do të vazhdojnë edhe në rajonin e Gjakovës, duke përmbyllur ciklin e diskutimeve me mësimdhënësit në të gjitha rajonet e Kosovës.

Kontributet dhe rekomandimet e mbledhura gjatë këtyre takimeve do të shërbejnë në procesin e hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në moshën 103-vjeçare, kur shumica e njerëzve prej kohësh kanë…