Kryeqyteti kërkon hapjen e deponisë së Mirashit gjatë natës
Në konferencën e sotme për media, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim
Retkoceri, kërkuan heqjen e kufizimit të orarit të deponisë së Mirashit, i cili po pengon grumbullimin dhe largimin e mbeturinave nga Kryeqyteti.
Nënkryetarja Musmurati theksoi se mbyllja e deponisë nga ora 00:00 deri në 07:00 pamundëson shkarkimin e kamionëve të kompanisë “Pastrimi” dhe funksionimin e ndërrimit të natës.
Ajo paralajmëroi kallëzim penal ndaj kryeshefit të KMDK-së, Dardan Velija, për këtë mbyllje dhe pasojat e saj.
Musmurati ngriti gjithashtu shqetësimin për bllokimin nga ministri Hekuran Murati të projektit prej 74 milionë eurosh me KfW-në, i cili do të mundësonte sigurimin e 100 kamionëve shtesë, 10 mijë kontejnerëve dhe një qendre riciklimi.
Drejtori Retkoceri kërkoi hapjen e deponisë që sonte në mesnatë dhe ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse.
“Prishtina nuk mund të mbetet në mbeturina për shkak të qëllimeve të caktuara politike”, theksoi Retkoceri.
Kryeqyteti kërkon rikthimin e funksionimit të plotë të deponisë së Mirashit për të garantuar shërbim të pandërprerë të grumbullimit të mbeturinave për qytetarët



