Ja me sa vite burg dënohet ish-lideri i bandës kriminale!

14 tetor 2026 | 15:38

Prokuroria argumentoi se Davis, megjithëse nuk qëlloi vetë mbi reperin…

Duane “Keffe D” Davis, ish-lider i bandës kriminale South Side Compton Crips, është dënuar me të paktën 40 vite burg për organizimin e vrasjes së reperit të njohur amerikan Tupac Shakur. Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor në shtator për vrasje me armë vdekjeprurëse, lidhur me atentatin ndaj reperit, i cili u qëllua gjatë një sulmi me armë nga një automjet në Las Vegas, më 7 shtator 1996. Pas shpalljes së dënimit, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin.

Prokuroria argumentoi se Davis, megjithëse nuk qëlloi vetë mbi reperin, ishte organizatori i atentatit dhe kishte siguruar armën e përdorur në krim. Në kujtimet e tij, të publikuara në vitin 2019, me titull Compton Street Legend, ai kishte folur për përfshirjen e tij në ngjarje. Provat kryesore kundër tij përfshinin deklaratat e bëra ndër vite, në të cilat ai kishte pranuar se ndodhej në një automjet tip Cadillac të bardhë, nga ku u qëlluan plumbat që i morën jetën Shakurit.

Gjatë seancës së dënimit, prokurori Marc DiGiacomo tha se Davis kishte folur publikisht për rolin e tij në vrasje për vite me radhë. Ndërsa motra e reperit, Sekyiwa Shakur, deklaroi në gjykatë se humbja e vëllait kishte pasur pasoja të rënda për familjen. Ajo i kërkoi gjykatës dënimin maksimal. Gjykatësja Carli Kierny theksoi se Davis nuk mund t’i merrte një njeriu jetën dhe të ardhmen pa mbajtur përgjegjësi për veprimet e tij. Nga ana tjetër, mbrojtja e Davisit pretendoi gjatë procesit se deklaratat e tij ishin ekzagjerime të bëra për të tërhequr vëmendjen dhe për të shitur librin.

Vrasja e Tupac Shakur, një prej figurave më me ndikim në historinë e muzikës rap, mbeti për gati tri dekada një nga çështjet më të mëdha të pazbardhura në Shtetet e Bashkuara. Reperi ishte 25 vjeç kur u vra dhe gjatë karrierës së tij shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën. Sipas prokurorisë, Davis kishte urdhëruar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor nga nipi i tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se qëlloi mbi reperin. Anderson vdiq në vitin 1998, në një tjetër incident me armë zjarri, pasi kishte mohuar përfshirjen në vrasjen e Shakurit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Protestat e studentëve në Tiranë janë duke u zhvilluar edhe…