Në vazhdën e Rezolutës së Kuvendit sot Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin për krijimin e Grupit Punues për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në krye të të cilit u caktua z. Glauk Konjofca, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Caktimi i njeriut numër dy të Qeverisë Kurti është tregues i seriozitetit me të cilën është marrë çështja e mbrojtjes së luftë sonë të drejtë çlirimtare.
Tregues se kthesa politike e bërë në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor, me zgjedhjen e presidentes, krijoi një realitet të ri para së gjithash shtetëror.
Tash shteti po mobilizohet për veprim me tërë potencialin për të shprishur mjegullën stigmatizuese dhe për të hedhur dritë mbi të vërtetën tonë.
Të vërtetën për robërinë, vuajtjet, përndjekjet, shpërnguljet, elaboratet serbe për shfarosjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe gjenocidin shtëror të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Të vërtetën për luftën tonë çlirimtare – e cila pas tri dekadash përpjekjeje paqësore pa rezultat – i dha fund një shekulli të zi, të kobshëm e tragjik të persekutimeve, pastrimit etnik e gjenocidit ndaj shqiptarëve nga Serbia.
Këtë të vërtetë e kishim menduar si metafizike, si diçka që dihej mirëfilli sepse e bëri NATO-n të intervenonte për të ndalur një përndjekje biblile ndaj shqiptarëve. Porse kuptuam se edhe transcendenca e së vërtetës, në politikë, paska mundësi të keqportretizohet deri në stërkeqje!
Verdikti që u shpall në Hagë ndaj katër drejtuesve të UÇK-së nxori lakuriq se asgjë, madje as e vërteta, nuk mund të jetë aq e shenjtë vetvetiu.
Një dioptri jo e duhur perceptimi, një luftë çlirimtare mund ta shohë si kriminale në arritjen e objektivit të çlirimit!
Më shumë se vetë dënimi, ky kualifikim ishte trishtues!
Sepse UÇK nuk kishte ndërmarrë akte terroriste, as akte të organizuara dhune ndaj ndonjë grupi të veçantë njerëzish.
E megjithatë, ajo që nuk besohej, ndodhi!
Kemi humbur shumë vite me neglizhencën tonë dhe me marrjen me gjëra meskine, e tash koha po rrjedhë rrëmbyeshëm.
A jemi të vonuar?
Jemi bukur shumë të vonuar.
Por nëse mobilizohet shteti dhe kombi, sikurse ky vendim i qeverisë Kurti për krijimin e një grupi punues, ka gjasa që t’ia dalim.
Dhe, duhet t’ia dalim.
Patjetër.
Duhet të lëvizim çdo gur e të ndërmarrim gjithçka, për të pasur sukses.
Sepse humbja e kësaj lufte do të ishte tragjedia e njëmendtë për Kosovën, për historinë, për lirinë, për të sotmen e për të ardhmen tonë.
Porse kjo luftë nuk duhet të kanalizohet me polarizime e me taborizime as me Bashkimin Evropian e as me Perëndimin. Shteti nuk guxon të bie nën presionin e njerëzve që nuk kanë përvojë në diplomaci, politikë të jashtme, lobim e komunikim shtetëror.
Duhet një kurs tjetër, me busull auroatlantike.
Sepse busulla perëndimore nuk ka asnjë interes real të jetë kundër lirisë së Kosovës, veçse kërkohet kontributi ynë.
Prandaj, kursi i strategjisë sonë shtetërore duhet të ketë në fokus një objektiv të vetëm: ta ndihmojë drejtësinë.
Ashtu sikurse asnjë institucion shtetëror apo civil, ose ndonjë platformë, madje as demonstruesit paqësorë në Kosovë e diasporë nuk kanë kërkuar diçka tjetër përpos drejtësisë.
Ndonjë shkrim diletant, deklarim folklorist apo ndonje opinionist mediokër që përdor narrativë “kundër vendeve të perëndimit” as nuk janë e as nuk duhet të merren si serioze.
Shteti me tërë kapacitetin e vet dhe resurset duhet të angazhohet me kualitetin më të lartë, në nivel euroatlantik, me ekspertizë perëndimore. Ka shumë kuadro e potencial në diasporën shqiptare që mund të kontribuojnë me kontakte, lobim, ide e autoritet, e që duhet të angazhohen, sepse lufta jonë çlirimtare është çështje kombëtare. Ka kuadro edhe në vend që duhet t’i mbledhë ky grup punues.
Kursi i strategjisë sonë, pra, duhet të jetë komunikimi, diskursi, argumentimi, parashtrimi i fakteve dhe ekskluzivisht e vërteta.
Përse kjo linjë?
Sepse ne e dimë se Perëndimi nuk është i pagabueshëm. Historia jonë tregon se kanë gabuar në Kongresin e Berlinit po edhe në Konferencën e Londrës. Megjithatë, liderët shqiptarë të asaj periudhe bënë çmos që ta bindin perëndimin për të vërtetën tonë. Sepse vetëm kjo ishte shansa historike për ne që të mbijetonim si komb e të bëheshim edhe shtet. Dhe, ndonëse me vështirësi, ia dolën.
Ky është mësimi i madh nga historia jonë shqiptare, nga Rilindja jonë e deri te Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Isa Boletini.
Ndërsa kur kursi nuk ishte Perëndimi, si ajo gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare – për Kosovën, ndonëse u aprovua Rezoluta e Bujanit për bashkim me Shqipërinë, jo vetëm nuk u bë bashkimi, po Kosova e shqiptarët iu nënshtruan një terrori shtetëror për dëbimin e shqiptarëve nga atdheu i vet autokton.
Edhe ky është një mësim i dhembshëm nga historia, edhe pse shqiptarët ishin të rreshtuar gjeopolitikisht në trendin e ndryshimeve globale.
Ajo që duhet të bëjë shteti ynë, pra, është ta ndihmojmë drejtësinë.
Ta ndihmojmë drejtësinë në Hagë që ta kuptojë atë që është e vërteta e Kosoves, se lufta jonë çlirimtare ishte luftë mbrojtëse kundrejt terrorit e gjenocidit të shtetit serb dhe se lufta jonë ishte e drejtë si dhe legjitime dhe se nuk kishte asnjë element kriminalizues.
Po ia arritëm kësaj, po e bëmë drejtësinë ta kuptojë këtë – atëherë të tjerat rrjedhin logjikisht në mënyrë deduktive.