Kurti: Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027

15 tetor 2026 | 12:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027. Ai ka theksuar se fillimisht do të hartohet strategjia shtetërore për mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, se kur do të ndahen mjetet financiare, Kurti tha se fillimisht duhet të përcaktohen vizioni, mekanizmat dhe masat e strategjisë, e më pas kostot për zbatimin e saj.

“Që ta votojmë në mbledhjet e Qeverisë buxhetin për vitin 2027, do të bëjmë këtë dhe, natyrisht, aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e UÇK-së. Por, ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore dhe më pas kostot. Njëherë përcaktohen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pas edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave dhe vizionit. Së dyti, duhet t’ia lëmë punën këtij grupi punues, prandaj edhe e kemi formuar. Tash unë nuk mund të bëhem zëdhënës i punës që do të bëjë grupi punues”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri bëri të ditur se Qeveria ka themeluar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas Kurtit, grupi do të ketë për detyrë të ofrojë mbështetje juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe të bashkërendojë veprimet diplomatike për dokumentimin dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Me vendimin e Qeverisë dje, themeluam grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie, të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zoti Glauk Konjufca. Mandati i tij përfshin mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe bashkërendimin e veprimeve diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

Grupi do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, sipas nevojave të identifikuara. Pjesë themelore e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor, përfshirë dokumentacionin e gjykimeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me krimet e kryera gjatë luftërave në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi”, tha Kurti.

Kurti theksoi se dokumentacioni do të shërbejë si bazë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse dhe për komunikimin ndërkombëtar, ndërsa strategjinë e cilësoi si një angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak.

“Kjo bazë dokumentare do t’i shërbejë mbështetjes së ekipeve mbrojtëse dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm, të mbështetur në fakte dhe argumente. Këtë proces e kemi konceptuar si angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët, ndërsa përgjegjësia për mbrojtjen e së vërtetës së saj shkon përtej mandateve qeverisëse dhe dallimeve partiake.

Prandaj, grupi punues është ngarkuar ta përgatisë propozimin fillestar të strategjisë, me masa prioritare, institucione përgjegjëse dhe afate zbatimi”, tha Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha, gjeneral  Ajo që po ndodh në Shqipëri,…