Hoti pret delegacionin e Policisë Federale Zvicerane, diskutohet bashkëpunimi ndërkombëtar
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pritur të enjten një delegacion të Policisë Federale Zvicerane (FEDPOL), me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, delegacioni zviceran u kryesua nga Laura Antonelli Müdespacher, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor dhe udhëheqëse e Divizionit për Çështje Ndërkombëtare në FEDPOL.
Gjatë takimit, Hoti dhe bashkëpunëtorët e tij diskutuan me delegacionin zviceran për bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet dy policive, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe çështjet që lidhen me Departamentin e Kufirit.
Sipas njoftimit, të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm dhe u zotuan për vazhdimin dhe thellimin e tij në të ardhmen.



