Kurti falënderon deputetët për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Pastrimin e Parave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që votuan dje në lexim të dytë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të plotësojë edhe kushtin e fundit për integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area).
Sipas tij, ky integrim do të mundësojë transferta bankare me kosto shumë më të ulët, duke u kursyer qytetarëve, bizneseve dhe mërgatës rreth 58 milionë euro në vit nga tarifat e transfertave.
Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për deputetët që kontribuuan në miratimin e këtij ligji, të cilin e ka lidhur me lehtësimin e pagesave dhe uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.



