Zbulimi shokues i arkeologëve në Brandenburg të Gjermanisë…

16 tetor 2026 | 13:07

Përmasat e enëve të zbuluara sugjerojnë gjithashtu se aty mund të mblidheshin grupe të mëdha njerëzish…

Arkeologët kanë zbuluar në Brandenburg të Gjermanisë mbetjet e një ndërtese që daton nga shekulli IX para Krishtit dhe që mund të ketë qenë një tempull. Objekti u gjet nën një fushë, pranë sipërfaqes së tokës dhe konsiderohet i veçantë për përmasat dhe formën e tij. Sipas vlerësimeve paraprake, ndërtesa është ndërtuar rreth viteve 820-720 para Krishtit, ndërsa struktura të ngjashme nuk njiheshin më parë në Gjermani për periudhën para ardhjes së romakëve.

Arkeologu shtetëror i Brandenburgut, profesor Franz Schopper theksoi se ndërtesa dallohet nga format tipike të kohës. “Planet drejtkëndore ishin të zakonshme për atë periudhë, por kjo ndërtesë ishte pothuajse katrore dhe mjaft e madhe, me përmasa 10,6 me 11,4 metra”, deklaroi ai. Një tjetër veçori është pozicioni i saj në pikën më të lartë të zonës, ku mund të shihej nga larg.

Gjatë gërmimeve janë gjetur fragmente të shumta qeramike dhe kocka të djegura kafshësh, elemente që mund të tregojnë se në këtë vend kryheshin flijime rituale. Përmasat e enëve të zbuluara sugjerojnë gjithashtu se aty mund të mblidheshin grupe të mëdha njerëzish, ndoshta gjatë festimeve. Megjithatë, Schopper theksoi se identifikimi si tempull mbetet ende një hipotezë që kërkon studime të mëtejshme.

Zbulimi lidhet me një zonë arkeologjike të rëndësishme pranë Seddinit. Rreth 900 metra larg ndërtesës ndodhet varri monumental i njohur si “Varri Mbretëror i Seddinit”, ku janë gjetur objekte me vlerë nga epoka e bronzit të vonë. Ndërsa rreth 200 metra larg tumës, arkeologët kishin zbuluar më herët mbetjet e një vendbanimi që daton rreth vitit 1000 para Krishtit. Në qendër të tij ndodhej e ashtuquajtura “Salla Mbretërore”, një rezidencë prestigjioze që mendohet se i përkiste një sundimtari lokal. Sipas Schopper, zbulimet dëshmojnë për një shoqëri të hierarkizuar, me ndërtime monumentale dhe lidhje tregtare ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që votuan…