Besa Ismaili-Ahmeti kritikon dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri: Qytetari nuk e humb dinjitetin pse del në protestë
Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj protestuesve, duke kritikuar përdorimin e forcës policore ndaj qytetarëve dhe duke bërë thirrje për dialog.
Në një postim në ‘Facebook’, ajo ka ngritur shqetësimin për goditjen e të rinjve dhe ka vënë në pikëpyetje autoritetin që dëshmohet përmes dhunës ndaj qytetarëve.
“Çfarë autoriteti dëshmon goditja e një të riu? Çfarë rendi vendoset duke rrahur qytetarë?”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.
Ajo ka theksuar se qytetarët nuk e humbin dinjitetin dhe të drejtat e tyre kur dalin në protesta apo kundërshtojnë qeverinë.
Në reagimin e saj, ish-deputetja u ka bërë thirrje palëve që të komunikojnë dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut, duke kërkuar që interesat e Shqipërisë të vendosen mbi ato të pushtetit.
“Flisni me arsyen, flisni me njëri-tjetrin dhe vendosni dialog! Vendosni Shqipërinë të parën dhe para pushtetit!”, ka përfunduar ajo.



